.
×

Zvarritet mbledhja e përbashkët e paralajmëruar mes dy qeverive, Kosovë-Maqedoni



Qeveria e Kosovës tash e sa vite ka zhvilluar takime me kabinetin e Qeverisë së Shqipërisë, gjatë së cilave nënshkruhen marrëveshje bilaterale në fusha të ndryshme. Mbledhjen e radhës me shtetin shqiptar, ekzekutivi i Kosovës do ta mbaj në nëntor të këtij viti në Pejë.

Përpos me Shqipërisë, Qeveria e Kosovës tash e një kohë ka planifikuar një takim të njëjtë edhe me Qeverinë e Maqedonisë, shkruan Indeksonline. Për këtë takim, tanimë janë kryer shumica e përgatitjeve, vetëm se ka mbetur caktimi i datës dhe vendi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se gjatë vikendit ka zhvilluar një takim me homologun maqedonas, me të cilin ka diskutuar pikërisht për takimin mes dy qeverive.

“Të dielën kam zhvilluar takim për të diskutuar në lidhje me këtë temë me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani, në partneritet me të cilin kemi punuar gjatë muajve të kaluar për organizimin e mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë”, ka theksuar Hoxhaj.

Sa i përket marrëveshjeve që do të arrihen, zv/kryeministri ka bërë të ditur se janë mbi 15 të tilla të gatshme për nënshkrim, për të cilat janë pajtuar dy qeveritë si në fushën e drejtësisë, punëve të brendshme, shëndetësisë, kulturës, mjedisit, ekonomisë dhe transportit.

“Prej tyre, 4 deri në 5 tema janë me interes të madh për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë sikurse: 1) Çështja e lehtësimit të kalimit në pikat kufitare; 2) Rregullimin e lejeve të posaçme për banorët në brezin kufitar në vendet ku nuk ka pika të përbashkëta kufitare; 3) Zbritjen e çmimit të roamingut mes dy shteteve; dhe 4) finalizimi i autostradës ‘Arben Xhaferi’ në pjesën e Maqedonisë meqë deri më tani nuk ka ndonjë zotim të qartë dhe përfundimtar se do të fillojë së ndërtuari së shpejti”, ka thënë tutje Hoxhaj.

Sipas tij, kujdes i veçantë i është kushtuar identifikimit të temave të cilat janë me rëndësi për Republikën e Kosovës dhe që prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të të dyja shteteve.

Duke folur për datën e mbajtjes së takimit, ai ka thënë se kjo do të vendoset posa Maqedonia të përfundoj disa procese të rëndësishme atje. “Realisht, data e mbajtjes së takimit mes dy qeverive varet më shumë nga agjenda në Shkup.

Siç e dimë, Maqedonia sapo ka përfunduar referendumin për Marrëveshjen e Prespës si dhe ka pasur zhvillime të tjera përcjellëse të cilat e kanë vonuar caktimin e një date për mbledhjen.

Pas përmbylljes së çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë do të caktohet data e mbledhjes së përbashkët”, ka potencuar Hoxhaj. Ai ka thënë se Kosova ka respektuar dhe pritur në mirësjellje nga pala maqedonase që të përfundojë një agjendë te ngjeshur ndërkombëtare lidhur me çështjen e emrit./IO/