.
×

Zgjedhja e drejtorëve të shkollave, Ministrisë së Arsimit i kërkohet të ndryshojë udhëzimin administrativ



Botapress 4 Nëntor – Mësimdhënësi Arben Fejza, nuk është pranuar as në konkursin e fundit për zëvendësdrejtor në një shkollë në Vushtrri. Fejza thotë se nuk u mor parasysh që ai kishte të përfunduar masterin në programin Udhëheqja në Arsim, pranë Fakultetit të Edukimit, karshi kandidatëve të tjerë, të cilët kishin të kryer një trajnim i cili zgjat 21 ditë, raporton KTV.

Ai, bashkë me studentë të tjerë të diplomuar në këtë drejtim, kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që i përcakton proceduat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorëve nëpër shkolla.

Ministria e Arsimit, në anën tjetër, pranon se ky udhëzim duhet ndryshuar. Ministri, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se janë duke diskutuar për ta gjetur një formë tjetër për përzgjedhjen e drejtorëve.

Ministri Bytyqi ka shtuar se nuk duan ta përshpejtojnë këtë proces, pasi, sipas tij, dëshirojnë që udhëzimi me ndryshime ta ketë rolin dhe efektin e duhur në praktikë.