.
×

Zëvendësministri Selimi: Pronare 100% e Trepçës është vetëm Kosova



Kur ta hapim kapitullin në lidhje me atë se kush kujt i ka borxh në mes të Kosovës dhe Serbisë, qeveria serbe do të jetë e para ajo që do të na lutej që po ajo kaptinë të mbyllet

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndryshuar vendimin për pronësinë e Trepçës. Trepça është njëqind për qind në pronësi të Kosovës, por çështja në shqyrtim ka të bëjë me modelin e menaxhimit të këtij aseti dhe të investimeve të ardhshme private. Aktualisht, Trepça menaxhohet përmes Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një proces që është shpalluar i ligjshëm gjatë mandatit të UNMIK-ut. Me propozim të Qeverisë së Kosovës, Kuvendi miratoi një vendim që ia parandalon ndërmarrjes shpalljen e falimentimit dhe kalimin në duart e kreditorëve, tha për “Danas” Petrit Selimi, zëvendësi i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçit, duke u përgjigjur në pyetjen se pse Qeveria e Kosovës ndryshoi vendimin e saj që do të ia mundësonte marrjen e pronësisë së Trepçës.

Selimi theksoi se vendimi i Kuvendit të Kosovës ishte i pashmangshëm duke pasur parasysh vendimin e mëparshëm të gjykatës sipas të cilit Trepça mund të rrezikonte të likuidohej kurse pasuritë e saj të përfundonin te kreditorët të cilët mund të (mos) kenë arsye për pretendime financiare në lidhje me Trepçën. I pyetur se pse Trepça ka borxhe financiare dhe nëse Serbia është njëra nga pronaret e ndërmarrjes, ai vuri në dukje se “shteti serb ka saktësisht zero për qind të pronësisë së Trepçës dhe të çfarëdo prone tjetër të Kosovës”.

Kjo çështje është e rregulluar me Marrëveshjen e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë ju kujtoj se qeveria serbe ka miratuar një kornizë kushtetuese për Kosovës me Marrëveshjen e Brukselit dhe kjo çështje është zgjidhur pavarësisht bujës mediatike. Gjatë kohës së Millosheviqit shumë makinacione dhe abuzime e kanë shkatërruar këtë Trepçën dhe kompani të tjera, andaj kreditorë të caktuar kanë pretendime që burojnë nga ajo periudhë. Megjithatë, këto janë procese komplekse që përfshijnë shtete nga Greqia e deri te Britania e Madhe dhe borxhe për të cilat pretendohet që tejkalojnë shumë prej një miliardë euro, tha Selimi.

Rreth deklaratës së zyrtarit serb, Marko Gjuriq, se “Serbia duhet të tregojë dhëmbët e saj, dhe të caktojë vijat e kuqe” dhe të porosisë Qeverinë e Kosovës për t’i dhënë fund grabitjes së pronës së Serbisë, Selimi tha se nuk do të komentojë “deklaratat e nxituara idioteske që i kushtohen tabloideve në Serbi”.

Nuk do të ishte serioze po të fillonim me kërcënime ndaj njëri-tjetrit përmes tabloideve, dhe kjo është në kundërshtim me qëllimin tonë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Mendoj se me hapjen e një kapitulli që do të trajtonte se kush kujt i detyrohet mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria serbe do të jetë e para e cila do të na lutej që ajo kaptinë të mbyllet dhe të harrohet. Po t’i llogarisnim dëmet e luftës, pensionet e vjedhura të të punësuarve në Kosovë, padrejtësitë e shkaktuara nga dëbimi masiv i shqiptarëve nga sektori publik më 1991-1992, qeveria serbe do të numëronte borxh prej dhjetëra miliarda euro kosovarëve. Çdo avokat i mirëfillt do të vërtetonte se me gjykimin në rastin “Millutinoviq dhe të tjerët” në Tribunalin e Hagës, si dhe në disa raste të tjera, është konfirmuar qëmoti se shteti serb është përgjegjësi i vetëm për dëmet masive të shkaktuara ndaj qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës. Kjo çështje do të hapet gjithësesi dhe “vijat e kuqe” do të caktohen, tha ai.

Duke u përgjigur në pyetjen se çila do të jetë tema e raundit të ardhshëm të bisedimeve të Brukselit dhe kush do t’i prijë delegacionit të Kosovës, tani që Thaçi nuk është kryeministër, Selimi theksoi se qeveria e Kosovës ësht treguar “shumë e përzemërt dhe e durueshme ndaj trukeve të Beogradit”.

Ne i kemi lejuar vizitat e përfaqësuesve të Beogradit mbi arsye fetare dhe humanitare, megjithëse këto vizita janë keqpërdorur për mesazhe politike. Ne jemi dëshmuar shumë të vëmendshëm ndaj komunitetit serb në Kosovë, sepse ne besojmë se integrimi i veriut është i një rëndësie thelbësore për stabilitetin dhe ne gjithashtu jemi të ballafaquar me sinjale mjaft të përziera që vijnë nga Beogradi, ku, nga njëra anë, ne ende shohim zyrtarë të lartë dhe medie pro-qeveritare duke përçuar komente raciste mbi Kosovën dhe kosovarët, ndërsa, nga ana tjetër, Serbia synon të integrohet në BE dhe synon marrëdhënie më të mira me Prishtinën. Ne lexojmë se si President serb flet rreth temave lidhur me statusin, edhe pse këto çështje janë mbyllur një herë e përgjithmonë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe me Rezolutën e OKB-së 64/298. Një sjellje e tillë e Beogradit është një humbje e kohës për të gjithë dhe ne, sigurisht, shpresojmë se mund të vazhdojmë me procesin e Brukselit në frymë pozitive. Raundi i ardhshëm i dialogut ka të ngjarë të jetë i përqendruar në sektorin e drejtësisë dhe në tërheqjen e plotë të strukturave paralele serbe, përfshirë edhe gjykatat, nga veriu i Kosovës. Bisedimet mbase do të udhëhiqen midis kryeministrit Vuçiq dhe ministrit të jashtëm Daçiq, nga njëra anë, dhe kryeministri Mustafa dhe ministri i jashtëm Thaçi, në anën tjetër, por për formatin do të vendosin BE, Prishtina dhe Beogradi, saktësoi Selimi.

Selimi nënvizoi se reparacionet e luftës nuk janë çështje e Prishtinës

Lidhur me kërkesën e Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga bombardimet e NATO-s, zëvendësministri i jashtëm Selimi vuri në dukje se Serbia “natyrisht se mund t’i adresohet shteteve anëtare të NATO-s për të kërkuar dëmshpërblim për bombardimet të cilat kanë ardhur si rezultat i refuzimit të qeverisë serbe që t’i jepet fund kampanjës së vrasjeve dhe të spastrimit etnik të Kosovës më 1999, por se kjo nuk është një çështje që duhet të shyqrtohet nga Qeveria e Kosovës.