.
×

Zeka: Thaçi po e imiton Erdoganin



Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka, ka deklaruar se nuk e mbështet presidentin Hashim Thaçi për udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

“Për mua Hashim Thaçi nuk është i duhuri për udhëheqjen e grupit negociator për dialogun me Serbinë. Nuk e mbështes Thaçin për kryenegociator. Ku qëndrim i imi vjen veçanërisht pas deklaratave të fundit. E para kur Thaçi tha se do të jenë kompromise të dhimbshme, dhe e dyta e Bekim Çollakut, njëri nga personat më të afërt të Thaçit, i cili tha se do të bëhen kompromise të dhimbshme mirëpo nuk mund të flasin sepse janë sekrete. Kjo më ka krijuar bindjen se bisedimet veçse janë zhvilluar”, tha Zeka gjatë një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës.

Zeka ka drejtuar kritika ndaj presidentit Hashim Thaçi, përderisa e krahasoi atë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Thaçi është duke e imituar 100% vëllanë e tij, Erdoganin. Ky i fundit e shndërroi Turqinë në shtet presidencial dhe Thaçi e ka këtë qëllim”, tha ai.

Në lidhje me qeverisjen aktuale, deputeti i NISMA-s tha se për momentin nuk ka opozitë të mirëfillt, përderisa vlerësoi se viti i ardhshëm mund të sjellë zgjedhje.