.
×

Zbulohet plani i Serbisë, ja çfarë po planifikonte të bënte me 6 tetor në Kosovë



E kjo, po bëhet ende më intensive në kohën kur Kosova është duke u bërë gati për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 6 tetor.

Kështu së paku po thonë politikanët serbë të Kosovës të cilët nuk i takojnë Listës Serbe. Nenad Rashiq, tashmë kandidat për kryeministër nga koalicioni ‘Sloboda’ (Liria) është shprehur se kërcënimet dhe shantazhet nga lista serbe po vazhdojnë ende.

Rashiq, gjithashtu ka shtuar se kjo është dukuri masive dhe se nuk pret nga Lista Serbe të ndryshojnë qasjen e tyre.

“Ne si kandidatë, normal që jemi njerëz të përgjegjshëm, por sidoqoftë, shantazhe, kërcënime po vazhdojnë prej momentit kur kryeministri ka dhënë dorëheqje dhe nuk ndalen. Kjo është dukuri masive. Kjo vazhdon dhe unë pres që kjo metodë nuk do të ndryshojë nga ana e Listës Serbe”, tha Rashiq.

Rashiq gjithashtu ka treguar se për shkak të këtyre presioneve, kërcënimeve e shantazheve, janë larguar edhe dy punëtor shëndetësorë nga puna.

“Kemi pasur raste kur dy ditë më parë, dy persona dy punëtor shëndetësor i kanë humbur vendet e punës sepse kanë qenë në lista tjera përveç Listës Serbe”, tha Rashiq.

Ditë më parë, Rashiq ka deklaruar se Lista Serbe udhëhiqet direkt nga Beogradi dhe përfaqëson interesat e qeverisë dhe partive të caktuara politike në Beograd.

Madje, Rashiq kishte thënë gjithashtu se koalicioni dhe partia të cilën e përfaqëson ai, nuk do të bëhet instrument i Beogradit por do të jetë zëri i serbëve të Kosovës.

Ndërsa, për interferimin e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe për mungesën e demokracisë në komunat me shumicë serbe, ka folur edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Krasniqi ka përmendur edhe zgjedhjet e vitit 2017 ku sipas saj – në komunat me shumicë serbe nuk ka pasur zgjedhje të lira, pasi ka qenë veç një kandidat e veç një subjekt politik, pasi të tjerët kanë qenë të kërcënuar.

“Ne kemi parë se në zgjedhjet e vitit 2017, kur kemi bërë monitorimin si koalicion i OJQ-ve pra Demokracia në Veprim, kemi parë se në 10 komunat me shumicë serbe nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi ka pasur vetëm një kandidat, vetëm një subjekt politik, pra Lista Serbe dhe kandidatë të tjerë dhe subjekte të tjera politike kanë qenë të kërcënuar dhe fare nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka potencuar gjithashtu se edhe në raportet e vëzhguesve të Bashkimit Evropian është vënë re fakti se ka pasur kërcënime dhe shantazhe të ndryshme – ku qytetarët detyroheshin të votonin Listën Serbe.

“Edhe atëherë, si në raportin tonë si në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian është vënë re fakti se qoftë qytetarët, qoftë subjektet e tjera politike ishin të kërcënuar që të mos votonin për ndonjë parti tjetër politike”, tha ajo .

Më tutje, Krasniqi ka potencuar se kërcënimeve që vijnë nga Beogradi zyrtar e qoftë nga strukturat e Beogradit duhet të dënohen.

Ajo ka bërë thirrje tek institucionet e vendit për të ndërmarrë masa ndaj këtyre veprimeve të Beogradit, por gjithashtu ka bërë thirrje edhe tek Bashkimi Evropian të angazhohen për ruajtjen e vlerave të demokracisë dhe të kërkojnë nga Beogradi të mos ndërhyjë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës.

“Ajo çfarë e bën një demokraci të mirëfilltë është pluraliteti i zgjedhjeve, prandaj kërcënimet që mund të vijnë ndaj partive serbe, qoftë nga Beogradi zyrtar, qoftë nëpërmjet strukturave që Beogradi ka në Kosovë duhet të dënohen. Institucionet e vendit duhet të dënojnë këto veprime, të ndërmerren masa të duhura, por në këtë rast edhe BE dhe vëzhguesit e BE-së duhet të kërkojnë respektimin e vlerave të demokracisë dhe të kërkojnë nga Beogradi mos të interferojë në zgjedhjet e brendshme të shtetit të Kosovës”, tha në fund Krasniqi .

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se që nga formimi i Listës Serbe, qeveria e Beogradit është prezente në Kosovë nëpërmjet strukturave paralele.

“Nga formimi i Listës Serbe, regjimi serb them në Kosovë, por edhe qeveria e Beogradit që është prezente në Kosovë nëpërmjet strukturave paralele, është injoruar zëri i serbëve të Kosovës dhe ata janë drejtuar nga një listë që përkon me interesin e ngushtë nacionalist serb në Kosovë dhe nuk përfaqësojnë zërin e qytetarëve serb të Kosovës”, tha Ibishi .

Sipas Ibishit, kështu ka ndodhur që nga formimi i Listës Serbe – të cilat kanë ushtruar kërcënime dhe shantazhe mbi qytetarët dhe pjesën tjetër të politikanëve në veri.

Ibishi gjithashtu ka shtuar se nga burimet e tij e di se kandidatët që nuk kanë qenë pjesë e Listës Serbe janë kërcënuar edhe në mënyrë direkte.

“Kështu ka ndodhur që nga legjislatura e katërt, dhe unë kam dëgjuar nga deputetët e partive jo-serbe, kërcënime direkt që kanë pranuar nga strukturat edhe të MUP-it serb, që nëse nuk e votojnë Listën Serbe do të ketë pasoja e konsekuenca. Kërcënimet kanë qenë direkte, kërkesat janë paraqitur tek partitë shqiptare që të ketë siguri, por kjo nuk ka shkuar më larg. Unë e di nga burime të sakta që qysh atëherë, kandidatët për deputet që nuk kanë qenë të Listës Serbe kanë pranuar kërcënime direkte”, vazhdoi Ibishi.

Krejt në fund, Ibishi tha se është duke tentuar të kthehet një demokratizim nëpërmjet partive që janë zëri i qytetarëve serbë të Kosovës, por sipas tij, qeveria e Beogradit mundohet me çdo kusht mos të lejojë një gjë të tillë.

“Fatkeqësisht këto kërkesa për mbrojtje nuk kanë shkuar në polici dhe janë shuar. Tani po mundohet të kthehet një demokratizim, nëpërmjet koalicioneve dhe partive tjera që përcjellin zërin e qytetarëve serbë të Kosovës. Por, fatkeqësisht, qeveria e Beogradit me çdo kusht mundohet që këta t’i mënjanojë në kuptimin që të mos votohen por edhe përmes kërcënimeve serioze”, tha Ibishi.

Se në veri të Kosovës funksionojnë ende struktura paralele të udhëhequra nga Beogradi kanë pohuar shumë shpesh ekspertë të sigurisë.

Sot, edhe zyrtarisht Bashkimi Evropian ka konfirmuar se do të dërgojë në Kosovë vëzhgues dhe komisionerë për monitorimin e procesit zgjedhor – dhe kjo mund të minojë mundësitë që Serbia të ndërhyjë në procesin zgjedhor./Lajminet/