.
×

Zbulohen rrugët, shtëpitë dhe emrat e atyre që po vazhdojnë kontrabandën në veri



Botapress 17 Korrik – Vazhdon kontrabanda në veri, Radio Kosova në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës, sjell emrat e kontrabanduesve.Kontrabanda me mallëra që futen ilegalisht nga Serbia në Kosovë, nuk është zhdukur ende, përkundër një aksioni që ndërmori Policia e Kosovës në maj.

Për këtë Radio Kosova ka siguruar edhe emrat e kontrabanduesëve kryesorë në këtë pjesë të vendit. Madje, njëri nga ta flet ekskluzivisht për Radio Kosovën, se si dhe me çfarë intensiteti zhvillohet kontrabandimi i mallërva të jashtëligjshme.

Përkundër aksionit të Policisë së Kosovës më 28 maj kundër kontrabandës në veri, kontrabanda në këtë pjesë të vendit po vazhdon, edhe pse me intensitet shumë të ulët.

Burime të Radio Kosovës thonë se kontrabanda zhvillohet përmes rrugëve ilegale, Sharpel në Leposaviç, dhe Tresava ndërkaq, kah pjesa e Zubin Potokut përmes Fshatit Banjë. Kryesisht kamionët qarkullojnë prej orës 8 të mbrëmjes.

Njëri nga kontrabanduesit e rrjeteve në veri në kushte anonimiteti thotë për Radio Kosovën se intensiteti i kontrabandimit me mallra të ndryshme ka rënë dukshëm krahasuar me kohën para aksionit të Policisë së Kosovës, në muajin maj të këtij viti. Sipas tij brenda ditës tani në Veri nga Serbia mund të hyjnë ilegalisht rreth 15 automjete me mallëra të ndryshme. Ai bën të ditur se dikur me mallëra të jashtë ligjshme qarkullonin miliona euro përmes këtyre rrugëve.

”Tash është me intensitet shumë të vogël, shumë pak punohet. Ne duhet të gjindemi sepse këtu jetojmë, si të mundemi dhe si të dimë, edhe tek ju punohet pak sikurse edhe tek ne. Para askionit të policisë ishte katastrofale, këtu ishte policia private, sa i përket policisë kufitare me të tjerët nuk kemi pasë problem. Poashtu sa i përket regjionit të Veriut dhe Policisë së Komunikacionit kurrëfarë problemesh nuk kemi pasur, njerëzit kanë punuar punën e tyre. Njeriu kryesor ishte Rado Radosavljeviç me ekipën e tij dhe po të mos ishte ai nu do të vinte puna deri këtu”.

Radio Kosova ka siguruar një dokumentacion me emrat e kontrabanduesve që aktualisht veprojnë në veri, e që janë:

Sergjan Vulloviç që njihet me nofkën Gene si me i rëndësishmi i rrjetit kontrabandues, njeri i afërt me Millan Radojçiqin.

Darko Daviç i njohur me nofkën Gjavo nga Leposavici i cili veprimtarinë ilegale me kontrabandë e kryen përmes rrugës Sharpel në Leposaviç.

Aleksander Dimitrijevic nga Leposaviçi.

Dragan Deniç dhe Radosh Petoroviç poashtu i afert i Millan Radojçiç.

Milan dhe Milojko Radisavljeviç të cilët njihen si Babudovci dhe të cilët veprojnë në Zubin Potok.

Të gjithë këta, sipas burimeve, rezulutojnë të jenë të lidhur me policinë në veri, meqë komandanti i ndërrimit, policinë kufitare e vendosë në pikat ku nuk do të kalojë kontrabanda e radhës.

Kontrabanda zhvillohet kryesisht në Tresava ( ku nuk ka patrulla) dhe Sharpel të Leposaviçit.

Ndërsa kah pjesa e Zubin Potokut nëpërmjet fshatit Banje. Prej rrugëve ilegale të pjesës veriore një pjesë e këtyre mallërave hyjnë në Jug të Mitrovicës si në Cerajë, Bistricë, Qabër për tu shperndarë në tërë territorin e vendit.

Radio Kosova ka siguruar edhe dokumentacione në të cilat shihet se nga kanë kaluar kontrabandistët, ku e kanë ruajtur mallin dhe si e kanë shperndarë atë.

Në një nga vezhgimet e këtij territoi janë vëzhguar 7 lokacione me risk të lartë, të cilat gjenden në veriun e Kosovës dhe ndërlidhen me kontrabandën e mallrave. Lokacionet janë sikur në këtë hartë.

Në Lokacionin, në qytetin Zubin Potok, në rrugën “Kolasinski Knezava” dyshohet se personi Dragoslav IGRUTINOVIC, i lindur në Zubin Potok, i deponon pijet e kontrabanduara dhe i strehon përkohësisht gjedhet e gjalla po ashtu të kontrabanduara. Në këtë lokacion, Dragoslav IGRUTINOVIC, i ka të parkuara automjetet (kamionët) të cilët i shfrytëzon për kontrabandim. Gjatë vëzhgimit, përveç shtëpisë së Dragoslavit, është identifikuar edhe një shtëpi tjetër në të cilën janë vërejtur disa automjete (kamionë) të cilët shfrytëzohen për kontrabandim e gjedheve të gjalla dhe pijeve. Të njëjtat automjete (kamionë) përdoren nga Dragoslavi dhe bashkëpunëtorë e tij.

Ndërkaq në këtë hartë shihën tre shtëpitë e personave të përfshirë në kontrabandë, shtëpia pranë së cilës gjendën kamionët e parkuar, shtëpia e Drogoslav Igrutinovic.

Shtëpia në të djathtë është e Dragoslav Igrutinovicit ndërsa shtëpia në të majtë është e Radoslav Igrutinovicit (vllaut të Dragoslavit), në të cilën janë të parkuara automjetet të cilat shfrytëzohen për kontrabandim të mallrave.

Shtëpia e një personi (për momentin i panjohur) në të cilën janë të parkuara automjete të cilat shfrytëzohen për kontrabandim të mallrave.

Në këto dokumente shihet edhe lokali (kafja) ku kontrabanduesit e shfrytëzojnë si pikë takimi , si dhe e vëzhgojnë rrugën se nga do të kalojë kontrabanda e radhës.

Ndryshe aksioni i Policisë së Kosovës në muajin maj të këtij viti rezultoi të jetë mjaft i suksesshëm, me ç’rast një pjesë e madhe e kontrabanduesve dhe grupeve të tyre u shpartallua nga policia, u arrestuan 24 persona , ndër ta edhe 6 shqiptarë dhe nje rus.