.
×

“Zarfi nga Amerika” si zgjidhje e ngërçit politik?



Shkruan: Nehat Hyseni

nehat hyseni

Zërat e paraqitur kohëve të fundit në LDK lidhur me atë se kësaj partie duhet t’i takoj posti i Kryeministrit, meqë është partia e dytë  për nga numri i deputetëve të dalur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014 dhe partia më e madhe e Koalicionit VLAN, kanë filluar të shpeshtohen.

Fillimisht, kjo ide doli nga goja e Arben Gashit, deputet i LDK-së, që si duket, qysh nga dalja e rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit, kur shumica e anëtarësisë së LDK-së dhe opinionit kosovar pritnin që, pas paraqitjes së fraksionit të PDK-së, Nisma, të kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, që mendohej se do ta dobësonin dukshëm PDK-në, si dhe shumë dobësi në performansën e saj qeverisëse, ishin të bindur se LDK do t’i fitonte këto zgjedhje.

Prandaj, LDK doli e vetme në zgjedhje, edhe pse kishte zëra se zhvilloheshin bisedime dhe kishte interesim nga disa parti që të hynin në koalicion parazgjedhor me LDK-në.

Sidomos veçohej interesimi i AKR-së së Behgjet Pacollit, e cila për pak nuk e kaloi pragun zgjedhor prej 5%, dhe PD e Ferid Aganit, e cila vlerësohej se mund të merrte më pak se 3% të votave.

Pra, sikur të arrinte marrëveshje për koalicion parazgjedhor me këto dy parti politike, LDK do të dilte parti fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit. Sepse, diferenca rreth 5% e PDK-sê do të eliminohej pothuajse plotësisht vetëm me PD-në e Ferid Aganit.

Kurse, me kyçjen e AKR-së, Koalicioni  parazgjedhor LDK-AKR-PD do të dilte fitues me rreth 4,5%, dhe do i fitonte rreth 36-36 deputetë, kurse PDK rreth 31 deputetë.

Pra, sikur t’i kishte bërë analizat profesionale, të bazuara në sondazhe, dhe në bazë të tyre të merrte vendimet e duhura, LDK gjithsesi do të dilte fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014.

Atëherë, pa kurrfarë dileme, kësaj partie politike do t’i përkiste posti i Kryeministrit dhe mbi 2/3 e “tortës” së pushtetit.

Por, kjo nuk ndodhi për shkakun se brenda LDK-së nuk ekzistonte klimë e volitshme për analiza e sondazhe të mirëfillta, meqë blloku i “meritokracisë së gjithëdijshme” ia kishte zënë frymën  kreativitetit dhe aktivitetit politik profesional brenda saj.

U ktheva në analizë të situatës dhe rrethanave parazgjedhore, me qëllim që ta përkujtojmë historikun e rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit dhe arsyen se pse jemi këtu ku jemi sot?

Pra, nuk mund të mohohet fakti se zgjedhjet e 8 qershorit u përjetuan si befasi zhgënjyese jo vetëm për anëtarësinë e LDK-së!

Por, meqë e tërë fushata parazgjedhore ishte zhvilluar në frymën “Anti – PDK” edhe nga AAK, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, që dorën në zemër, sidomos VV pretendonte shumë më tepër, madje (ndoshta) të dilte para LDK-së, meqë ishte trimëruar nga fitorja e komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të nëntorit 2013.

Prandaj, të nesërmen e zgjedhjeve të 8 qershorit, më 9 nëntor, për befasinë e të gjithëve, pikërisht Albin Kurti, i cili konsiderohej si jobashkëpunues e i ngurtë, madje edhe kokëfortë, ai propozoi Koalicionin paszgjedhor Anti-PDK, që do të ishte grupim politik më i madh se ai i koalicionit të PDK-së, i cili kishte vetëm 37 deputetë, dmth më pak se 1/3 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky propozim i z. Kurti u pranua menjëherë nga LDK, AAK dhe Nisma.

Natyrisht, PDK gjatë qëndrimit të saj të gjatë në pushtet, kishte arritur që të gjitha institucionet kyçe të shtetit të Kosovës t’i formonte nga militantë të vet dhe perfornansa e tyre  ishte partiake, e jo shtetërore, sidomos aty ku mund të prekeshin interesat e PDK-së.

Ky realitet i hidhur u pa nga performansa e Kushtetueses dhe Presidentes, që vepruan sipas diktatit të PDK-së, duke e sjellur vendin në krizë politike,  që edhe pas katër muajve nga zgjedhjet, të mos e kemi të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

Tani kur pritet vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës më 2 tetor 2014, pozicionet e dy grupimeve rivale PDK dhe VLAN janë të ngurta.

Mbetet të presim se çka do të na sjellë Presidentja Jahjaga nga Amerika?

Poqese e sjellë me vete “zarfin”, atëherë gjithçka do të përfundoj aty dhe zgjidhja nuk do të mund të refuzohej as nga PDK e as nga LDK, AAK, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje. Pra, “zarfi” nga Amerika do t’i zgjidhë të gjitha problemet, si ato midis grupimeve rivale PDK-VLAN, ashtu edhe brenda vet LDK-së.

Por, ajo që bien në sy kohëve të fundit, përveç kërkesave brenda LDK-së për postin e kryeministrit, që i bie se do ishte kërkesë për prishjen e koalicionit paszgjedhor VLAN dhe anim implicit kah mundësia e koalicionit PDK-LDK.

Në këtë drejtim ndoshta duhet kuptuar edhe aktivizimin e  befasishëm të Fatmir Sejdiut  si “faktor” zgjidhjen e ngërçit politik aktual  i cili njihet për rivalitetin e papajtueshmëtinë e tij me Isa Mustafën.

Andaj, paraqitja e “opozitarizmit” të Arben Gashit dhe të tjerëve zor se mund të shikohet ndaras nga aktivitetet dhe zhvillimet anti- Isa Mustafa brenda LDK-së.

Ky dyshim na lind aq më parë kur dihet qëndrimi i haptë i z. Sejdiu kundër LDK-së gjatë fushatës parazgjedhore, si dhe afria e madhe dhe përvoja  e tij bashkëpunuese gjatë bashkëqeverisjes me PDK-në dhe pas saj.

Prandaj, në ditët dhe javët në vijim mund të presim ndryshime dramatike në skenën politike të Kosovës, të cilat mund ta befasojnë opinionin politik të Kosovës.

Se cilat befasi politike na presin, mbetet të shihet.

Por, ajo që dihet me siguri, është fakti se zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, nuk do të ketë.