[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Zaev nesër dorëzon nënshkrimet në Presidencë, kërkon mandatimin



Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të hënën do t’i dorëzojë nënshkrimet në Presidencë për ta kërkuar nga kreu i shtetit Gjorge Ivanov mandatin për formimin e Qeverisë së re.

Këshilli qendror i LSDM-së ditë më parë i dha dritë jeshile liderit të kësaj partie Zoran Zaev për të kërkuar mandatin nga presidenti.

“Vijon një periudhë ku do të përkushtohemi në vendosjen e një programi cilësor qeveritar që do ta realizojnë politikanë të përgjegjshëm, që do të udhëheqin politika reale, ashtu siç zgjodhën qytetarët e Maqedonisë”, theksohej ndër të tjera në njoftimin e LSDM-së.

Ndërkohë nga BDI nuk ka ndonjë zhvillim të ri.

Kryesia qendrore e kësaj partie nuk është thirrur që nga dita e premte kur edhe vendosi që Zoran Zaevit t’ia jep nënshkrimet për të marrë mandatin.

Edhe pse partia e Ahmetit i dha mbështetje liderit të LSDM-së, në tavolinë ka ende dy opsione: Mbetje në opozitë me mbështetje të qeverisë së pakicës, ose pjesëmarrje në qeveri me marrëveshje koalicionimi.

Ndonëse nuk konfirmojnë, nga partia e Ahmetit duket se do të presin vendimin e presidentit Ivanov për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm, shkruan Alsat M.

Pas informacioneve se Zoran Zaev ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për të kërkuar mandatin nga Ivanov, ky i fundit mësohet të jetë takuar me kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski. Alsat kërkoi qëndrim nga presidenca dhe nga VMRO-DPMNE-ja për të konfirmuar nëse vërtet Gruevski dhe Ivanov janë takuar dhe për çfarë është biseduar, mirëpo asnjëra e as tjetra nuk u përgjigjën qoftë për të konfirmuar apo përgënjeshtruar takimin mes Gruevskit dhe Ivanovit.

Ditë më parë, komisioneri evropian Johanes Hanh tha se Bashkimi Evropian pret që presidenti Ivanov të ndërmerr hapat e mëtejmë në përputhje me Kushtetutën, përkatësisht t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë, kandidatit që kanë shumicën në Kuvend.

Menu Title