.
×

Ymer Ymeri: Po jam kontaktuar nga Specialja, do të dëshmoj në Hagë për vrasjen e vëllaut tim!



 

Botapress, 8 Mars – “Unë nuk po kërkoj gjakmarrje! Po kërkoj drejtësi. E drejtësinë do ta kërkoj edhe në Hagë në Gjykatën Speciale” thotë Ymer Ymeri për Botapress

 

 

“Vëllau im ka qenë mësues i anglishtes. Ditën kur është arrestuar ka qenë duke u kthyer nga shkolla ku kishte mbajtur mësim. Të nesërmen e kemi gjetur të vrarë. Po të ishte gjallë dje edhe vëllu im Haki Ymeri do të festonte 7 Marsin, ditën e mësuesit me kolegët e tij”. Kështu flet Ymer Ymeri, vëllau i madh i Haki Ymerit, i cili u gjet i vrarë më 2 nëntor 1999 në Vojnikë të Skenderajt.

Prej atëherë e deri më sot familja Ymeri është në kërkim të gjetjses së dorasit dhe urdhënësve që vranë familjarin e tyre haki Ymerin .

Ymer Ymeri, nuk e ka ndërmend të ndalet në kërkim të ndriçimit të vrasjes së vëllaut të tij Haki Ymeri, i cili më 2 nëntor të vitit 1999 u arrestua deri sa po kthehej nga shkolla ku ishte arsimtar dhe të nesërmen u gjet i vrarë.

 

Edhe vetë Ymer Ymeri ka qenë i arrestuar gjatë luftës, në Durrës dhe është mbajtur në ndalim nga UÇK-ja. Ai ka dëshmuar me emër për personat që e kanë ndaluar dhe nga dëshmia e tij është dënuar Sabit Geci dhe grupi i tij.

 

Ymeri asnjëherë nuk është frikësuar në kërkim të zbardhjes së vrasjes së vëllaut të tij e të vrasjeve të tjera të pasluftës. Madje ai nuk ka pranuar që të jetë dëshmitar i mbrojtur ashtu siç nuk ka hezituar që të përmend emra të cilët kanë dorë në vrasjen e vëllaut të tij e të veprimtarëve të tjerë të LDK-së.

Tash kur po pritet që të nisë punën Gjykata Speciale dhe kur priten aktakuzat e para, Ymer Ymeri thotë për Botapress se ai është kontaktuar nga hetues të Gjykatës Speciale dhe se u ka thënë atyre se është i gatshëm që të dëshmojë në këtë proces gjyqësor.

 

“Po, unë jam kontaktuar nga hetues të Gjykatës Speciale. Kam dëshmuar para tyre krejt atë që e kam dëshmuar edhe në procesin gjyqësor kundër Sabit Gecit. Por, unë nuk po kërkoj gjakmarrje! Po kërkoj drejtësi. E drejtësinë do ta kërkoj edhe në Hagë në Gjykatën Speciale” thotë Ymer Ymeri për Botapress.

 

Ymeri hedh poshtë dyshimet se vëllai i tij, Hakiu, mund të jetë vrarë nga serbët. “S’ka pasë serbë në kohën kur ma kanë vra vllaun”, ka thënë Ymeri.

 

“Hakiun e ka vrarë policia e UÇK-së. Unë kam dyshimet e mia dhe dihet kush ka qene në krye të Policisë ushtarake  më vitin 1999, por për shkak të hetimeve nga Specialja nuk do t’ia përmend emrin me këtë rast. Por hetuesve të Speciales ua kam treguar emrin e personit që dyshoj se ka gisht në vrasjen e vëllaut tim”, ka thënë Ymer  Ymeri në një deklaratë ekskluzive për Botapress.

 

 

 

 

 

          Kush ishte Haki YmerI

 

 

Haki Ymeri u lind në Vojnikë të Skënderajt me 1953. Shkollën fillore e kreu në Turiqefc, ndërsa gjimnazin në Skënderaj.

Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega e Letërsisë dhe Gjuhë shqipe.

Po ashtu Haki Ymeri për një kohë studjoi edhe Gjuhën dhe letërsinë anglo-amerikane në Universitetin e Prishtinës..Punoi si mësimdhënës në shkollën fillore “Kosova” në Vajnik dhe shkollën “Iliria” në Turiqevc. Me përkthime është marrë që nga vitet e ´80-ta dhe që atëherë ka botuar në gazetën “Rilindja” si dhe në revistat “Zëri i Rinisë” dhe “Bota e re”. Librin e parë e boton më 1997  me titull “Lirika të përkthyera”. Rrjedh nga një familje atdhetare e Drenicës së Tahir e Ymer Binakut. U vra në tradhëti më 2 nëntor 1999.

Ishte veprimtarë i pa epur i çështjes kombëtare. Ndihmoi luftën çlirimtare me pushkë dhe mjete materiale. Në momentin e vrasjes ishte profesor në shkollën e fshatit.