.
×

Ylber Vokshi-Ylli: Pse Kosova nuk aplikoi në UNESKO



 

Sa në shikim të parë dukej befasi mos aplikimi  Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO, edhe ma neveritës ishte shpjegimi i MPJ ( Ministria e Punëve të Jashtme ) që e ndërmori një hap të tillë për ta shtyrë aplikimin për anëtarësim. Që të jetë ironia edhe ma e madhe njoftohemi se ky veprim është ndërmarrë në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Kuintit. A thua përse këto shtete u ”detyruan” të na mbështesin,përse nuk tregohen shkaktarët e vërtetë të kësaj situate nënçmuese që vet ne e kemi krijuar.

Pa mëdyshje ky veprim është rezultat i mos punës kronike dhe jo-profesionale që është e domosdoshme në këto raste,çka pritëm që përkrahësit ndërkombëtar të na turpërojnë duke i kundërshtuar veprimet tona jo serioze,jo vetëm në rastin konkret por edhe në shumë raste tjera,që mendja e shëndoshë e njeriut normal kurrqysh nuk mundet ti arsyetoi. Edhe situata politike konfuze pas zgjedhjeve parlamentare nuk mundet të jetë arsyetim i qëndrueshëm,thelbi i problemit qëndron në filozofinë jetësore tek vet ne,deshëm apo nuk deshëm atë duhemi pranuar për fat të keq.

Për njohësit e rrjedhave kulturore ky veprim tregon shumëçka, e ma së paku seriozitet dhe përgjegjësi në inkuadrimin e shtetit tonë të brishtë në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare, të rëndësishme për funksionimin e shtetit, si është rasti konkret i këtyre ditëve me mos aplikim në UNESCO  ( Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ).

Janë të pa shpjegueshme veprimet dhe sjelljet e përgjegjësve institucional me pasivitetin e treguar në periodën dy vjeçare pas dështimit të vitit 2015, kur në  mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme në Paris, nuk arritëm të pranohemi si anëtare të barabartë me 195 shtetet tjera të kësaj organizate,shumë të rëndësishme të OKB-së.

Pas dështimit të vitit 2015,pritej mobilizim gjithëkombëtar duke angazhuar edhe ekspertët  nga Shqipëria që kishin dituri dhe eksperiencë, pasi tre site ishin të pranuara në UNESCO, si Butrinti,Berati dhe Gjirokastra. Ata së bashku me institucionet dhe ekspertët e shumtë vendor dhe  ndërkombëtarë,duhej të përgatiteshin në mënyrë dinjitoze dhe me ekspertizë profesionale,me forcën e argumenteve që i kemi me bollëk, të konkurrojmë për anëtarësim në këtë mekanizëm rëndësishëm ndërkombëtar në vitin 2017.

Ky mobilizim mungoi,institucionet që e kanë obligim dhe paguhen për këtë me paturpësi dështuan dhe zgjodhën abstenimin apo mos aplikimin këtë herë. Jam i sigurt se kjo apati  do të vazhdoi edhe në të ardhmen, nëse do të lejohet kjo mos punë dhe mos përgjegjësi.  Angazhimi në këtë proces shumë të vështirë të aderimit në UNESCO është dashur të jetë gjithëpërfshirës,nuk ka pozitë dhe opozitë në këto raste,duhej angazhim permanent i ekspertëve të shumtë,intelektualëve të pavarur,që të përfaqësojmë sa ma mirë shtetin e Kosovës.

Jam i vetëdijshëm se aderimi në këtë organizatë ka konotacione të mëdha politike,është i ndërlidhur me sferat e interesit, me lojëra të ndyta politike ku kundërshtarët e kësaj çështje të prirë nga Serbia patën sukses edhe kësaj radhe, falë pa-aftësisë tonë, që nuk po dimë të shfrytëzojmë përkrahjen e pa-rezervë të botës progresive të udhëhequr nga SHBA-të,dhe gjendjen faktike në terren.

Për klasën aktuale politike e rëndësishme është tendenca permanente për të nënçmuar dhe anatemuar ekspertët e shumtë që kanë vepruar në këtë lami në Kosovë me dekada. Ata as që janë konsultuar ndonjëherë  për disa çështje apo kritere që kërkohen në këto raste. Për të bindur botën me na pranuar, duhen veprime të shumta konkrete të cilat e kamë bindjen po na mungojnë për të iu kundërvu propagandës agresive serbe.

Mendova së perioda dy vjeçare “2015-2017” do të jetë e mjaftueshme, për të plotësuar kërkesat elementare që  ishin kërkuar për aplikim të serishëm, si përgatitjen e dosjes për aplikim duke filluar nga përkrahja institucionale,karakteristikat teknike, legjislative,kapacitetet teknike,formimin e grupeve të punues me ekspert,përpilimin e planit të punës,planin e konservimit,planin e menaxhimit,si dhe planin e shfrytëzimit promovimit të monumenteve,si dhe fushave tjera që i mbulon kjo organizatë.

Shumë mirë që në qershor 2016 u themelua “Task Forca”për përcjelljen e procesit të anëtarësimit si  dhe u promovua “Strategjia Kombëtare  e Trashëgimisë Kulturore 2017-2027 ”. Mungoi pa shpjegim miratimi i Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe ai për Bashkitë Fetare që ishin parakushte për anëtarësim. Opinioni kurrë nuk u informua se çka punoi ajo  “Task forca “ e themeluar mu për këtë qellim, e cila me forcën e argumenteve të shumta teknike dhe faktike duhej të arsyetonte kërkesën për anëtarësim, por si duket shumë pak kanë punuar apo asgjë. pos për promovim mediatik. Edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) shpalli vetëm 23 asete në mbrojtje të përhershme të trashëgimisë kulturore,çka është shumë pak duke e krahasuar me numrin e madh të tyre, që për çdo vit evidentohen si të përkohshme .

Kaptinë e veçantë është sjellja së institucioneve tona ndaj propagandës agresive Serbe në ”luftën” kundër pranimit të Kosovës në UNESCO,kurrsesi nuk mundet të justifikohet këto veprime. I lejohet Serbisë të keqpërdorën ato 1247 artefakte të Kosovës, të cilat i ka uzurpuar dhe ende nuk i ka kthye edhe se ishte obligim ndërkombëtar (pako e Ahtisarit). Për keqardhje ishte rasti me keqpërdorimin e tyre në ekspozitën e organizuar në Paris në fund të vitit 2016. Njejtë ndodhi edhe këtyre ditëve kur në prag të sesionit vjeshtorë të asamblesë të UNESCO-s ,Serbia lancoi një film dokumentar me shumë të pa vërteta. E tërë kjo u mundësua nga pasiviteti i ynë i pa shpjegueshëm, i mbështjell me misteri se çka është duke ndodhur me sjelljen  e zyrtarëve të lartë shtetëror kështu. A ka dikush në këtë shtet që me argumente të shumta ti kundërvihet kësaj propagande “gebelsiane”.

Ajo çka është ma dëshpëruese në tërë këtë proces konsiston në atë se sa nuk jemi vetëkritik me tërë situatën e krijuar në vitet e pas luftës së fundit,posaçërisht në fushën e trashëgimisë kulturore dhe historike, të cilën në të gjitha anët me të gjitha mjetet edhe sot po e shkatërrojmë. Me vetëdije me të madhe po e zhdukim të kaluarën tonë,fare pa u brengosur për identitetin tonë urban dhe rural. Ndërtimet me leje e pa leje,uzurpimet e pronës publike,prishja e zbulimeve arkeologjike,zhdukja e tyre, janë vetëm një imtësi në arsenalin e veprimeve kundër ligjore që i kemi bërë këtyre viteve.

Kush na ka faj për këtë të huajt apo vet ne, të mendojmë pak për ketë çka jemi duke i bërë vetes,bota shef pasi ne këto veprime i bëjmë haptas pa u ngurruar fare,pa u fshehur nga organet shtetërore,që në princip nuk reagojnë edhe se e kanë detyrë parësore me e mbrojtur rendin,ligjin dhe kushtetutën.

Politikë-bërësit tonë së bashku me diplomacinë senile po i lejojnë këto veprime të Serbisë duke mos reaguar,e anëtarësimi i yni në këto organizma ndërkombëtare është jetik për të gjithë ne, pasi me pranin tonë në UNESCO do të jemi kontribuues të mëdhenj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe forcimin e IDENTITEIT tonë në këta hapësira me shekuj.