.
×

Xhevdet Bajraj: Shkrimtarët duhet të jenë të angazhuar



Poeti dhe dramaturgu Xhevdet Bajraj vjen në një rrëfim për poezinë, atdheun dhe jetën në ekzil

Në Kosovën e fundviteve ’70, atëherë kur po nisnin erërat e para të ndryshimit, Xhevdet Bajraj do të niste shkrimet e para. Vargje që mbeteshin në fletë fletoresh, që mbanin brenda poetin e ardhshëm. Takimi me vargjet e Bodlerit do të ndryshonte përgjithmonë fatin e tij. Poezia tashmë nuk ishte thjesht një pasion i fshehur, por diçka që ngrinte krye e kërkonte të dilte në sipërfaqe. Kur la Kosovën dhe udhëtoi drejt Meksikës për të mos u kthyer më pas, Bajraj do të endej gjatë mes trysnisë të të qenët në një vend të huaj. Nuk ka provokim më të madh për një poet të detyrohet të heqë dorë nga pasioni i tij, dhe të shkruajë e jetojë në një gjuhë tjetër. Por përballë këtij provokimi, Bajraj mundi t’ia dilte duke ruajtur poezinë. Sot ai është një protagonist i njohur i letrave shqipe dhe pse ndodhet mijëra kilometra larg. Më poshtë ai vjen në një rrëfim për gazetën “Shqip”, për vargjet, atdheun, dhe ekzilin…

Si e kujtoni Kosovën e viteve ’80-’90 kur nisët të shkruanit… Si erdhi poezia te ju?

Ky dhjetëvjeçar në mendjen time ka shijen e shalqirit të prerë, apo mollës a dardhës mbi të cilën meksikanët hedhin spec djegës, të shtypur. Pra, Kosovën e këtyre viteve e kujtoj si të ëmbël dhe të hidhur/djegëse. Ishte koha e reprezaljeve ndaj shqiptarëve. Kjo do të ishte ajo pjesa e hidhur apo djegëse. Kujtimet e ëmbla kanë të bëjnë me moshën time, isha i ri, pastaj në të njëjtin dhjetëvjeçar u martova, më lindi fëmija, botova librin e parë. Poezia më erdhi në fund të viteve shtatëdhjetë, në formën e një fletushke letrare derisa isha në gjimnaz. Aty për herë të parë lexova dy poezi të Sharl Bodlerit: Himn dashurisë dhe Albatros. E gjeta fijen e kuptimit të jetës sime, m’u dukën si syze për të parë botën dhe për t’u mbrojtur nga ajo, bastun për të mbajtur derisa udhëtoj rrugëve të po asaj bote. Poezia vjen nga rropullitë e njeriut dhe i drejtohet zemrës së një njeriu tjetër, është si uji që lidh ishujt.

Si e kujtoni botimin e librit të parë? Cilët ishin poetët apo shkrimtarët që ju pëlqente të rrinit të bisedonit?

Ishte një moment i veçantë në jetën time, si një hakmarrje ndaj vdekjes, apo nga frika që kisha ndaj saj.

Kam pasur shumë pak miq poetë, jetoja në Rahovec, ndërsa takimet e rralla me poetë fillonin dhe mbaronin duke pirë birra o raki. Sidoqoftë, kafenetë u shërbejnë njerëzve për “t’i mbushur bateritë”, pasi edhe shkrimtarët janë njerëz.

Lidhjet e mia me poetë apo shkrimtarë kanë qenë të një mënyre tjetër që me autorë të letërsisë sonë të vjetër deri te letërsia jonë bashkëkohore, letërsia e vjetër greke e ajo latine, Gjenerata e ’98 dhe ajo e ’27 spanjolle, letërsia bashkëkohore italiane, franceze, gjermane, anglo-amerikane, latino-amerikane, ruse, jugosllave dhe rock poezia.

Çfarë ndryshoi te ju ikja nga Kosova?

Ma ndryshoi pikëvështrimin për njeriun, për politikën dhe për botën. Ma përmirësoi gjendjen materiale, ma zgjeroi universin poetik… Vetëm dhimbjen për Kosovën nuk ma ka ndryshuar.

Meksika, çfarë është për ju? Të qenët një shkrimtar në ekzil?

Meksika është si një parajsë për mua, por në këtë parajsë buka kërkohet në gjuhë të huaj, ndonjëherë shoh ëndrra në gjuhë të huaj, ndonjëherë djali ma thotë ndonjë fjali në gjuhë të huaj. Jetoj në një qytet që ka mbi 25 milionë banorë, kështu që me atë dhimbje më duhet të lëviz në mesin e aq fytyrave të panjohura dhe me një histori aq të ndryshme nga kjo e jona. Më duhet ta kaloj kohën me miqtë e mi të rinj, me të cilët nuk kam fëmijëri dhe rini të përbashkët. Them parajsë, sepse këtu kam pasur një fat shumë të mirë, fëmijët më janë shkolluar në shkollat më të mira meksikane, poezia ime është pritur shumë mirë. Kur jemi te poezia, apo te pozita e shkrimtarit në ekzil, në një shtet ku nuk ka bashkëkombës të tij, shkrimtarit nuk i mbeten shumë zgjidhje: ndryshimi i profesionit dhe vazhdimi i të shkruarit në gjuhën e nënës (ku s’të lexojnë më shumë se një grusht njerëzish në shtetin apo në këtë rast, në shtetet amë) apo përpjekja të matet në gjuhën e Lorkës, Borhesit, Nerudës, Pazit… dhe me këtë të përpiqet ta sigurojë kafshatën e bukës. Për mua ky rast ka qenë një provokim shumë i madh profesional që kurrë nuk do t’ia falja vetes po ta kisha lëshuar nga dora. Natyrisht, ka vuajtur poezia ime në gjuhën shqipe për këtë, pra kam vuajtur unë, por në dhjetëvjeçarin e dytë të këtij shekulli po ashtu s’më ka “bezdisur” asnjë botues i yni. Po marr një shembull, monodramën time “Vrasja e mushkonjës”, si fituese e shpërblimit të Konkursit për Dramën Kombëtare “Katarina Josipi” në vitin 2011, edhe pse ka qenë e paraparë që të publikohet së bashku me dramat që zunë vendin e dytë, përkatësisht të tretë, ajo kurrë nuk u botua. Përndryshe e njëjta monodramë është botuar në Beograd në kuadër të një antologjie të dramës bashkëkohore kosovare.

A duhet të jenë poetët dhe shkrimtarët e angazhuar… Në Kosovë ka pasur të tillë, kujtoj Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili ishte një kritik letërsie…?

Nuk ka asgjë të keqe nga poetët dhe shkrimtarët e angazhuar në letërsi, nëse angazhimin e marrim si rrymë letrare, gjegjësisht, si propozim estetik, si përgjigje ndaj ngjarjeve në të cilat u ka takuar të jetojnë, pra si përgjigje e një gjenerate. Po ashtu nuk ka asgjë të keqe nëse shkrimtarët, angazhohen politikisht, por kjo nuk ka se si të quhet ndryshe përveçse sakrificë. Në rastin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, kemi të bëjmë me një sakrificë. Po ashtu ka qenë sakrificë mbase për Vaclav Havelin, Leopold Sedar Senghorin, Mario Vargas Llosa, Romulo Gallegos e ndonjë tjetër. Por nuk do të ishte sakrificë për një gjysmë shkrimtari gjysmë të çmendur, apo për një tjetër kurrfarë shkrimtari e plotësisht të çmendur, ta zëmë nga e njëjta Kosovë, të pretendojnë që të shpallen presidentë. Përderisa, në të vërtetë, po të ishim shoqëri humane, i pari do të përfundonte në azil të pleqve, ndërsa i dyti në çmendinë dhe nga aty tërë ditën e lumë do të mund t’i drejtoheshin popullit.

Një grua lakuriq fle mbi një rrasë guri

Ujku plak me ulërimë e përzë hënën nga qielli

Mjegull është mjegull ka qenë

Gjeli në majë të plehut të atdheut

Paralajmëron ditën e re…

Çfarë doni të thoni me këto vargje?

Kjo poezi, në kohën kur është shkruar, ka qenë aktuale dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë aktuale akoma, madje në Kosovë. Maja e plehut të atdheut është ngjitur deri në qiell… dhe përfundon me optimizëm. Kjo është një mënyrë për ta interpretuar këtë poezi. Ka qenë e shkruar në kohën kur ka ekzistuar censura. Interpretimin tjetër mund ta bëjë lexuesi dhe poezia në fjalë kompletohet me përvojën e tij personale, varësisht nga çfarë “materiali” është i ndërtuar dhe në çfarë gjendjeje shpirtërore gjendet derisa e lexon këtë poezi. Ta zëmë, dikush mund ta interpretojë atë në atë mënyrë sikur një grua e shfrytëzon mjegullën për të bërë marrëdhënie seksuale. Edhe ky do të kishte të drejtë nëse një i tretë do ta kuptonte ndryshe, edhe ky i treti do të kishte të drejtë. Janë nivele të ndryshme të leximit. Sidoqoftë kam frikë se kemi për të pritur edhe shumë kohë derisa të këndojë gjeli dhe me ditën e re të shohin njerëzit se në çfarë plehu kanë jetuar. Historinë e shkruajnë fituesit do të thoshte Gunter Grass, ndërsa letërsia merret me të vërtetën e humbësve.

Nga e djathta: Koulsy Lamko, Xhevdet Bajraj, Eduardo Vázquez Martín, dhe fituesi i Çmimit Nobel për letërsi më 1986, Wole Soyinka

Në Shqipëri ka një zbehje të rolit të poezisë, shkruhet pak, e nuk e ka më atë fuqinë e dikurshme…?

Në Shqipëri akoma janë gjallë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu dhe Fatos Arapi, as kombe numerikisht shumë më të mëdha se i yni nuk i kanë katër poetë të këtij kalibri.

Intervistoi: Alda Bardhyli; Shqip