.
×

VV: Nuk qëndrojmë prapa faqes që thërret për vullnetarë të “Qeverisë Kurti”



Ndonëse ende Kuvendi nuk është shpërndarë e as data e zgjedhjeve nuk është caktuar, partitë politike kanë filluar fushatën në terren e po mbajnë takime me qytetarë.

E fushata ka filluar edhe në rrjetet sociale. Militantë të partive kanë hapur faqe të ndryshme përmes të cilave po sensibilizojnë opinionin për ta votuar kandidatin për të cilin ata mendojnë që do të jetë në krye të qeverisë së ardhshme.

Një faqe e re është hapur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj Albin Kurti. E krijuar jo më larg se 17 gusht një faqe e quajtur “Qeveria Kurti” ka filluar të jetë aktive në rrjetin social Facebook.

Vetëvendosje thotë se nuk qëndron prapa faqes në Facebook që thërret “vullnetarë të Qeverisë Kurti”

Ndonëse po bëjnë thirrje për anëtarësim për përkrahje të Kurtit si kryeministër i ardhshëm, Vetëvendosja e mohon që një faqe e tillë është e krijuar nga ta.

Zyrtari për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë për Koha.net se kjo faqe nuk është krijuar nga Vetëvendosja.

Madje ai shton se janë të interesuar që t’i mbyllin të gjitha faqet të cilat janë të paautorizuara.

“Jo kjo faqe nuk është krijuar nga Vetëvendosje. Jemi të interesuar t’i mbyllim të gjitha llogaritë false dhe të paautorizuara”, ka thënë Manxhuka.

Kujtojmë se që nga rënia e Qeverisë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, është përfolur lidhur me një koalicion të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Madje ka pasur edhe takime mes dy liderëve të partive, por që ende nuk është zyrtarizuar asgjë.