[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

VV-ja distancohet nga deklaratat e Agim Bahtirit për vëllavrasje



Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri që në zgjedhjet e fundit parlamentare iu bashkua Vetëvendosje ka kërcënuar sot me vëllavrasje në vend, në rast se krijohet qeveri e re, pa shkuar në zgjedhje.Deklaratat e presidentit Hashim Thaci për bisedime me partitë politike tjera në vend, e ato të LDK’së që mund të krijojnë një qeveri të re me AAK’në e Nismën, nuk i kanë pëlqyer kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit.Ai sot ka deklaruar se në rast se ndodhë një skenar i tillë, në Kosovë do të ketë vëllavrasje.

“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe sot ia tregojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshu me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe ti shpallë zgjedhjet..”, ka thënë Bahtiri, duke deklaruar se në Kuvend në zgjedhjet e ardhshme kjo parti do t’i ketë 46 deputetë.

Nga kjo deklaratë e Bahtirit, janë distancuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje.Në një përgjigje për Gazetën Express, Arlind Maxhuka nga sekretariati për media i LVV’së ka thënë se momentalisht po merren me panedimë dhe se në zgjedhje do të shkohet sapo të dalim nga kjo situatë.

Nga partia e Albin Kurtit shtojnë se nuk ka nevojë për konflikt në vend.“Aktualisht jemi duke u marr në mënyrë të plotë me Pandeminë Covid19 dhe posa ky virus të largohet e të rikthehet normaliteti, në përputhje me Kushtetutën të shkohet në zgjedhje të reja sic kemi deklaruar edhe ditë më parë. Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt, së bashku me qytetarët e vendit, me disiplinën tonë të përbashkët, do ta kalojmë edhe pandeminë edhe secilin problem tjetër”, ka shtuar ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci sot ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Menu Title