.
×

Vuçiq merret përsëri me Haradinajn, thotë se në Hagë vetëm ka shijuar hotelet



Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, përsëri sot është marrë me dorëheqjen e Ramush Haradinajt dhe udhëtimin e tij drejt Hagës për t’u intervistuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Në një intervistë për Tv Prva ka thënë se e ka ditur që Haradinaj do të qëndrojë në Holandë për 24 apo 48 orë dhe do të kthehej më pas në Kosovë duke luajtur figurën e heroit.

“Kam thënë që ata do të qëndrojnë atje për 24 apo 48 orë, për të shikuar se si duken hotelet atje”, ka thënë presidenti serb.

Ndërkohë për kthimin e mbrëmshëm të Haradinajt, Vuçiq thotë se ai e ka pritur qëllimisht natën për t’u dukur si një hero.

“Ai e priti natën, për të bërë një figurë mbreslënëse, për t’u dukur si një hero”, ka shtuar ai, shkruan B92.

Përveç tjerash Vuçiq ka folur edhe për vizitën e eurokomisionerit Johannes Hahn, duke thënë se me të kanë biseduar për vazhdimin e dialogut të Brukselit.

“Është shumë e vështirë. Ne jemi duke pritur që të hiqet taksa”, ka përsëritur Vuçiq.

Ditën e dorëheqjes, Vuçiq kishte thënë se Haradinaj ka bërë një trik politik, për përfitime politike dhe për t’i dominuar kundërshtarët politikë në Kosovë.