.
×

Vuçiq dorëzohet para Bullgarisë: Na keni keqkuptuar



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se Serbia dhe Bullgaria kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se zhvillimet dhe deklaratat e fundit nga zyrtarët e dy vendeve, janë keqkuptime të përkohshme.

“Bullgaria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia nuk e njeh atë. Këto janë dallimet tona. Në të gjitha gjërat e tjera, kemi marrëdhënie të mira, kjo është një keqkuptim i përkohshëm. Unë do të bisedoj në javën e ardhshme me kryeministrin Boyko Borisov dhe Presidentin Radev. Ne kemi anëtarë të pakicës bullgare në parlamentin serb, të cilët dua të ndjehen si në vendin e tyre” tha Vuçiq në një konferencë për shtyp, raporton N1.

Ai shtoi se personalisht do të avokojë për “kthim në rrugën e marrëdhënieve të mira” me Bullgarinë, e atë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Këto përplasje mes Serbisë dhe Bullgarisë, erdhën pasi që kryeministri bullgar, Borisov, deklaroi se Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrelli, duhet ta respektojë qëndrimin e Bashkimit Evropian për Kosovën, e jo ta mbaj qëndrimin e Spanjës, vend edhe nga ky vjen.

Për këtë, kishte reaguar shumë ashpër ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë “Ti, Boyko, duhet ta kuptosh se BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet”.

Kjo solli situatën, ku ministrja e punëve të jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, duke e mbrojtur kryeministrin e saj dhe qëndrimin bullgar ndaj Kosovës, thirri ambasadorin serb në Sofje, për raportim në ministrinë e saj.

E të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Daçiqi, i cili ftoi ambasadorin bullgar, por të biseduar lidhur me “keqkuptimin” që ka ndodhur.