.
×

Vlora Çitaku i del në mbrojtje gruas që u rrah pasi gabimisht thanë se vjedh fëmijë



Vlora Çitaku ka reaguar pasi një qytetare u bë cak i sulmeve për shkak të publikimit të fotografisë së saj në rrjete sociale, e pastaj edhe në media.

Një grua rome u sulmua sot nga disa të rinj në Lipjan, pasi fotografia e saj u shpërnda në rrjetet sociale duke thënë se ajo po kidnapon fëmijë nëpër komuna të Kosovës.

Policia tha se gruaja në fjalë nuk përbën rrezik për qytetarët e tjerë.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Citaku, ka reaguar në Facebook pas asaj që i ndodhi gruas rome.

“Një qytetare e Kosovës, e përkatësisë rome, u sulmua nga disa të rinjë në pikë të ditës. Pretekst ishin disa pohime të paverifikuara të cilat u raportuan në disa mediume të Kosovës. Turp dhe marrëzi”, ka shkruar Citaku.

Gjatë ditës u publikua një video ku gruaja krejt e pambrojtur u sulmua nga një turmë adoleshentësh. Ajo u gjuajt me gurë dhe u godit.