[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vjosa Osmani: Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën, i bën thirrje qeverisë për një qështje



Pas rasteve të fundit, ku vdiqën gjashtë persona me coronavirus në vendin tonë, ka reaguar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë thirrje që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet.

Osmani ka thënë se as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë.

“Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe”.

“Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Ndaj dhimbjen me secilën familje të prekur dhe lutem që të sëmurët nga virusi të shërohen sa më parë. Bëj thirrje edhe një herë që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet, sepse as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë”, thotë Osmani.

Më tej ka theksuar se Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19.

“Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi iniciuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaçërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë”.

“Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë”, ka shkruar në fund Osmani, përcjell Telegrafi.

 

Menu Title