[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vjosa Osmani pranon të shkojë në Kuvendin e Serbisë



 

Botapress, 7 Maj

Kryetari i Komitetit për Integrim Evropian të Kuvendit të Serbisë, Nenad Çanak, ka ftuar në tubimin që do të organizojë edhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Kosovës, Vjosa Osmanin. Kjo e fundit e ka pranuar për Express se do të jetë pjesëmarrëse.

Deputetja e LDK’së Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme ka thënë se do të shkojë në Kuvendin e Serbisë dhe se praninë e saj tashmë e ka konfirmuar.

 

“Po e kam konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë shkurtimisht ajo.

 

Megjithëse, lideri i radikalëve serbë, Vojisllav Sheshel, ka kërkuar nga shumica parlamentare e Serbisë që ta zëvendësojë nga funksioni kryetarin e Komisionit dhe t’ia ndalojë Vjosa Osmanit hyrjen në ndërtesën e Kuvendit.

 

“Çanak këtë takim e ka planifikuar si konferencë ndërparlamentare ‘Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit’, që do të mbahet më 11 dhe 12 maj në Beograd. Ai mund të ftojë vetëm përfaqësues shtetesh me të cilat Serbia ka marrëdhënie diplomatike apo përfaqësues shtetesh të cilat Serbia i njeh”, ka theksuar ai.

 

Siç ka thënë Sheshel, ky nuk është rast i tillë.

 

Por, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq, ka thënë se asnjë deputet i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në konferencën ndërparlamentare .

 

Ajo ka thënë se nuk ka informata se kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar për të marrë pjesë në konferencë. Por bëri të ditur se do të interesohet për këtë.

 

“Nuk di gjë për këtë. Por, sido që të jetë, deputetët e të ashtuquajturave shtete që Serbia s’i ka njohur nuk mund të vijnë sepse nuk kanë ftesë zyrtare nga Parlamenti, nga Presidenti apo Qeveria e Serbisë. Ju garantoj për këtë”, ka deklaruar ajo./

Menu Title