.
×

Vjosa Osmani: Mërgata i është bashkuar LDK-së për çlirimin e dytë të Kosovës



Botapress 3 Tetor – Në tubimin zgjedhor në Viti, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se sikur në vitet e ‘90-ta, mërgata jonë i është bashkuar LDK-së për çlirimin e dytë të Kosovës.

“Mërgata jonë ka qenë gjithmonë në anën e drejtë të historisë. Ajo përveç dërgesave për familjet kosovare, gjatë viteve të ‘90-ta ka financuar arsimin, shëndetësinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa ka financuar edhe luftën. Mërgata jonë tashmë është bashkuar me projektin e LDK-së për çlirimin e Kosovës nga krimi dhe korrupsioni”, tha Osmani. 

Vjosa Osmani pati një mesazh edhe për votuesit që për herë të parë votojnë në zgjedhje. “Sigurohuni të dashur të rinj që vota juaj e parë të shkojë për çlirimin e dytë të Kosovës. Më 6 tetor me votën tuaj të parë, Kosova do të përjetojë çlirimin nga krimi dhe korrupsioni. Do t’i japim fuqi lirisë dhe do t’i përqafojë vlerat e demokracisë”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Nënkryetarja e LDK-së, tha se Kosova nuk është plotësisht e lirë derisa të plotësohen tri postulatet e Presidentit Rugova: liria, pavarësia dhe demokracia.

“Këtyre tri postulateve ua ka zënë frymën krimi dhe korrupsioni në Kosovë, i cili do të marrë fund me fitoren tonë në zgjedhje. Askush nuk mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për fitoren e LDK-së dhe kthimin e qeverisjes me duar të pastra në Kosovë”, tha Osmani.

Sipas saj, me fitoren në zgjedhje, më 6 tetor do të përfundojë pushteti i atyre që abuzuan me shtetin dhe do t’ju kthehet pushteti qytetarëve.

Duke folur për planin qeverisës, Osmani tha se 100 milionë euro në vit do të kursehen nga luksi i deritanishëm i qeveritarëve, ndërsa për katër vite qeverisje do të kursehen 400 milionë euro.

Sa i përket komunës së Vitisë, Osmani tha se do të investohet në lidhje rrugore me Gërlicën dhe do të përfundojë ndërtimi i Zonës ekonomisë të nisur nga qeveria Mustafa.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, tha se projekti i Vjosës parasheh kthimin e besimit në LDK-në dhe njerëzit e saj të mirë. Ai ka thënë se oponentët politikë janë mbyllur në salla, pasi që nuk po kanë njerëz në tubimet e tyre.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se me përkrahjen qytetare në Viti dhe krejt Kosovën, LDK-ja do të rikthehet fuqishëm sikur në kohën e presidentit Rugova.