.
×

Vjollca Aliu: Motivim apo zhgënjim për jetë në Kosovë



Me çfarë të motivohen qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos e lëshojnë vendin?

Më thoni:

Ju që morët votat, përfshirë secilin deputet në periudha të ndryshme legjislative (deputetët e VI legjislaturave deri tani) dhe secilin që ishte dhe është pjesë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, varësisht nivelit të përgjegjësisë publike;

Ju që abuzuat me të drejtat e njeriut, të drejta të normuara me ligje dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;

Ju që keqmenaxhuat buxhetin e shtetit, shfrytëzuat paranë e taksapaguesve për interesa e nevoja personale, familjare, klanore, partiake;

Ju që arsimin e futët në labirintin e politikës ditore e diktateve ideologjike partiake, duke e degraduar e rrënuar gati se tërë sistemin arsimor në të gjitha nivelet;

J që sistemit shëndetësor i keni dhënë epitetin VDEKJE;

Ju që si babadimra falni miliona para nga thesi i leckosur i kosovarëve (rasti i 53 milionëve dhënë Bechtel Enka-s);

Ju që nuk jepni llogari për milionat e djersës së kontributdhënësve (rasti i 85 milionëve të humbura të Trustit Pensional të Kosovës);

Ju që ikët nga llogaridhënia për milionat e paguara kompanisë austriake për çështjen e pasaportave;

Ju që përgjegjësinë nuk e ndjeni dhe nuk e vuani kur krijoni apo futeni në afera të ndryshme (korruptive, kriminale) apo abuzime seksuale;

Ju që nuk brengoseni se mërgimtarët tanë paguajnë për të hyrë në vendin e vet (vetëm në Kosovë nuk u vlenë Kartoni i Gjelbër), ndërsa remitancat janë rritur nga djersa e tyre derdhur në Kosovë (mbi 12% e GDP-së);

Ju që për interesat e juaja ndërpersonale e ndërpartiake nuk votoni politikat sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore,… duke penguar e pamundësuar një mirëqenie dhe perspektivë për qytetarët, jeta e të cilëve kushtimisht varet nga vullneti juaj;

Ju që më shumë kujdeseni se si të punësoni të afërmit tuaj, milantët e të dëgjueshmit e partive respektive, se sa që përkujdeseni për numrin e madh të të sëmurëve që nuk gjejnë shërim në spitalet e Kosovës e që trajtimin duhet ta bëjnë jashtë vendit, më shumë apo kryesisht me ndihmën e bëmirësve, donatorëve që grumbullojnë para për raste të panumërta trajtimesh mjekësore, se sa nga mjetet e ndara nga buxheti shtetëror dedikuar për raste të tilla;

Ju që shitët, falët pasurinë e Kosovës (asete të ndryshme, fabrika e distribucione) sikur të ishin pako festash, dhurata me vlera simbolike;

Ju që harxhuat paratë e popullit duke lobuar më shumë për interesat e juaja personale e grupore, për bizneset e juaja ku keni edhe aksione, se sa për interesat shtetërore, perspektivën, inkuadrimin dhe imazhin e Republikës së Kosovës;

Ju që nuk u dhatë rëndësi e madje shpesh edhe injoruat kthimin e sportistëve nga garat e ndryshme (përtuat edhe t’i falënderoni për arritjet e tyre), të cilët si ambasadorë të paqes e pasuruan Kosovën me medalje ari e argjendi, me të cilat krijuan një “mini-minierë”;

Ju që nuk brengoseni se qytetarët janë izoluar nga vendet e BE-së, sepse ju e keni zgjidhur këtë çështje për vete dhe për familjarët tuaj me pasaporta diplomatike e privilegje, përderisa qytetarët bartin mbi supe brengën dhe dëshirën për liberalizimin e vizave, tash e sa vite;

Ju që shfrytëzoni paranë publike për shkollimin e fëmijëve tuaj në universitete me renome ndërkombëtare, ndërsa studentët me kapacitete gjeniale në mungesë të mjeteve financiare detyrohen madje edhe të ndërrojnë fushën e studimeve, sepse në disa fakultete vendet janë të rezervuara për fëmijët e “ajkës” elitare-pushtetare dhe të preferuarit e tyre;

Ju që nuk i përmbushët premtimet parazgjedhore dhe synoni kandidimin edhe në zgjedhjet e ardhshme, ende pa ardhur koha , duke u orientuar vetëm në premtime për rrugë e kanalizim (sepse aty është bereqeti i tenderave), por duke harruar politikat sociale konkrete të cilat pothuajse pak ose fare nuk janë pjesë e programeve tuaja, por të cilat prekin numër të madh të qytetarëve në nevojë, të varur pikërisht nga skemat e ndryshme sociale;

Ju që krijuat mbi 40 agjenci në kuadër të pushtetit ekzekutiv dhe i bëtë ato si “çerdhe dallëndyshesh” për familjarët e të preferuarit tuaj, por që nuk bëtë llogarinë se sa shpenzojnë ato veç e veç dhe sa janë funksionale;

Ju që keni siguruar për vete nga 3 e 4 vende pune, më shumë kujdeseni për rritjen e pagave tuaja, sepse vota juaj e mundëson këtë, duke i shndërruar ligjet në fontanë dëshirash, radhitur sipas toplistës së dëshirave tuaja personale dhe grupore, por nuk brengoseni për numrin e madh të të papunësuarve;

Ju që pozitat vendimmarrëse i keni rezervuar gati tërësisht për gjininë mashkullore, megjithëse normat juridike përcaktojnë mosdiskriminimin dhe barazinë gjinore;

Ju që, edhe pas 20 viteve liri nga pushtuesi, femrën nuk e shihni të denjë për të punuar në sektorin e sigurisë, duke harruar të gjitha ato femra, ato shqipe mali që ishin pjesë e UÇK-së, shumë prej të cilave ranë dëshmore dhe u bënë fanar i kësaj lirie që e gëzojmë sot;

Ju që arsyetimet, sqarimet dhe përgjigjet para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme i patët vështirësi apo të paarritshme, ashtu siç kanë qenë të paarritshme sukseset në diplomaci. Me retorikë pa logjikë nuk iket nga përgjegjësia për dështimet e njëpasnjëshme të diplomacisë së MPJ-së;

Ju që rritët numrin e vendeve të vizituara, duke përfituar honorare të majme në emër të lobimit për rritjen e numrit të njohjeve nga shtetet që ende nuk e kanë njohur si shtet Republikën e Kosovës, por që de facto e de jure ky numër jo vetëm që nuk u rrit, por u vu në dyshim edhe njohja nga disa shtete që më parë e kishin pranuar Kosovën si subjekt ndërkombëtar;

Ju që dremiteni e fleni në karriget e Parlamentit të Republikës së Kosovës e paguheni nga qytetarët për atë gjumë, përkundër asaj se aty jeni për të bërë zgjedhjet më të mira për zgjidhjen e çështjeve publike;

Ju që foltoren e Parlamentit të Republikës së   Kosovës shpesh e shfrytëzoni për t’i shfryrë inatet personale, duke treguar papjekuri njerëzore, mungesë kulture si individ dhe mungesë të kulturës politike;

Ju që fëmijëve tuaj u keni siguruar bursa studimi (pavarësisht suksesit), por nuk brengoseni për fëmijët të cilët detyrohen që krahas shkollimit të punojnë për të ndihmuar prindërit e tyre për mbijetesë, fëmijët që punojnë punë të rrezikshme e të rënda në raport me moshën dhe aftësitë e tyre fizike;

Ju që nuk brengoseni fare pse ikin të rinjtë për studime jashtë vendit dhe nuk e kthejnë më kokën pas, sepse zhgënjimi i përgjithshëm nga ky vend nuk u la dëshirën që të kthehen e të punojnë për vendin e vet pas arritjeve të tyre në fusha të ndryshme studimi;

Ju që i tmerroheni termit MERITOKRACI, ndoshta më shumë se vdekjes, sepse pozitat që i keni pa meritë, në sistemin meritokratik nuk do të kishit vend, do të “siteshit” e do të dilnit si egjëra nga gruri;

Ju, populli im i dashur, votoni, por mos u mashtroni! Kosova ka shumë njerëz që meritojnë të jenë aty ku sot dikush po shkelë mbi gjakun e mijëra të flijuarve, po na ngulfat jetën të gjallëve e po na “vret” çdo ditë.