.
×

Vizitë e suksesshme e delegacionit nga Podujeva në Westerstede të Gjermanisë



Kryetari i Komunës së Podujevës, z.Agim Veliu, e ka vlerësuar shumë të suksesshme vizitën treditore të realizuar javën që shkoi në Westerstede të Gjermanisë, në të cilën delegacioni i Komunës së Podujevës ka zhvilluar takime të frytshme. Gjatë kësaj vizite kryetarët e dy komunave janë zotuar për vazhdimin e bashkëpunimit veçmas në fushën e bujqësisë, energjisë, arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve publike.

 

Komuna e Podujevës dhe bashkia e Westerstedes në Gjermani kanë thelluar edhe më shumë bashkëpunimin. Gjatë një vizite të bërë fundjavën që shkoi në Westerstede, delegacioni i Komunës së Podujevës, që udhëhiqej nga kryetari z.Agim Veliu, në përbërje të të cilit ishte edhe drejtori i Arsimit, Nexhmi Rudari dhe dy këshilltarët komunalë, Afrim Shabani e Xhevdet Beselica, krahas  takimit me kryetarin e Westerstedes, z.Klaus Gross, ka zhvilluar vizita dhe takime të shumta me përfaqësues të  institucioneve të ndryshme, shoqata dhe biznese të Westerstedes.

Në një konferencë shtypi, të mbajtur sot, kryetari Veliu e ka vlerësuar të suksesshme vizitën në këtë qytet gjerman.

“Me Westersteden tashmë kemi intensifikuar bashkëpunimin. Udhëheqësit e këtij qyteti gjerman vitin e kaluar ishin në vizitë tek ne,  javën që shkoi edhe ne realizuam një vizitë atje. Gjatë kësaj vizite, përveç takimit me krerët e Westerstedes, vizituam dhe  institucione të shumta dhe realizuam takime të rëndësishme me udhëheqës të tyre”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se gjatë kësaj vizite janë shqyrtuar format bashkëpunimit dhe për mbështetjen që do t’i jap Westerstede  Podujevës, në bujqësi, energji, arsim, shëndetësi dhe shërbime publike.

“Në kuadër të shumë vizitave dhe takimeve që kishim, vlen të përmendet takimi me drejtues të shoqatës së fermerëve të regjionit Ammerlander në kuadër të të cilit bën pjesë edhe Westerstede, shoqatë kjo që numëron mbi 40 mijë fermerë. Në këtë takim biseduam për mundësinë e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë”, tha kryetari Veliu, duke potencuar se edhe gjatë vizitave në institucione dhe shoqata të tjera, janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit.

Delegacioni i Podujevës ka vizituar edhe disa pika të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, për të parë nga afër mënyrën e funksionimit të tyre dhe mundësitë e aplikimit të një prodhimi të tillë të energjisë edhe tek ne.

Kryetari Veliu tha se në kuadër të shqyrtimit të formave të bashkëpunimit dhe investimeve të drejtpërdrejta të kapitalit gjerman në Podujevë, kryetari i Westerstedes, z.Klaus Gross, është zotuar se ndihma për komunën e Podujevës do të jetë e gjithanshme, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik, bujqësi, arsim, shëndetësi dhe shërbime publike.

Westerstede me këtë rast i ka dhuruar Komunës së Podujevës, një automjet për Brigadën e Zjarrfikësve, pajisje mjekësore dhe 70 shtretër për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, 300 karrige,  tavolina, një piano  dhe 150 banka  dhe mjete të tjera shkollore.

Me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit një delegacion i Westerestedes gjatë vitit do ta vizitojë Komunën e Podujevës.