.
×

Vizita hist(e)orike e Ramës në Beograd



Shqiptarët autoktonë, të Luginës së Preshevës, nëntorin e këtij viti, do ta mbajnë mend për vizitën e kryeministrit Rama, në Beograd dhe Preshevë.

Politizimi i skajshëm i kësaj vizite, sado që u vlerësua historike, ajo u manifestua me një ndjenjë histerike, për mënyrën e organizimit, reagimeve dhe komentet pa fund.

Lufta mediatike, para, gjatë dhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Serbi, krijoi një atmosferë trishtimi se sa gëzimi.

Me masa të rrepta të sigurisë u prit vizita e kryeministrit shqiptar. Mbi tre mijë policë dhe 200 gazetarë të akredituar, të cilët e përcillnin agjendën e takimeve të kësaj vizite, krijuan një klimë të tensionuar politike në rajon.

Konferenca për gazetarë e dy kryeministrave, provokimet dhe darka sulltanore, nxitën reagime e komente, nga më të ndryshme, duke përfunduar jo rrallë me humor e batuta.

Nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkëpunim ndërshtetëror dhe tryeza e forumit për marrëdhënie ndëretnike, po ashtu nuk kaluan pa ndonjë jehonë pozitive.

Dita e dytë e vizitës së kryeministrit Rama, në Preshevë, u manifestua me një varg vështirësish të natyrës politike.

Lëvizja e orarit të agjendës protokolare të vizitës, për shkak rrugës së gjatë Beograd – Preshevë, ndalesa e qarkullimit të lirë të qytetarëve për t’u grumbulluar para godinës së Kuvendit Komunal e Pallatit të Kulturës, konfiskimi i flamujve kombëtarë dhe probleme të tjera artificiale, bënë që nikoqiri i kësaj vizite t’i zhgënjej qytetarët në masë të madhe.

Akti i shpalljes së kryeministrit Rama, qytetar nderi i Preshevës, shkëmbimi i dhuratave, pritja jo solemne në Pallatin e Kulturës, po ashtu i bënë nikoqirët e kësaj vizite, të pa denjë e provincional deri në ekstremitet.

Koordinimi jo profesional i klasës politike amatore, bëri që veç qytetarëve të zhgënjehen edhe një numër i madh veprimtarësh, të cilët në forma të ndryshme kontribuan për këtë Preshevë dhe rrethinë.

Ndarjet politike dhe krahinore edhe pas përfundimit të vizitës historike të kryeministrit Rama në Serbi, do të reflektohen më një dozë pesimizmi dhe optimizmi për të ardhmen e shqiptarëve në këtë rajon, të quajtur Luginë e Preshevës.

Arritja në Beograd, e kryeultranacionalistit serbe Voisllav Sheshel, i liruar përkohësisht nga Tribunali i Hagës, me akuzën për krime lufte kundër njerëzimit, një ditë pas përfundimit të vizitës së kryeministrit Rama, s’ka se si të mos vazhdojë atmosfera e tensionuar politike në këtë shtet, ku pakicat kombëtare, duke llogaritë edhe atë shqiptare, nuk dihen komod.

Për dallim nga viset e tjera etnike shqiptare, festat e nëntorit, në Luginë të Preshevës, kanë filluar si herët.

Mungesa e flamujve kombëtarë, pas konfiskimit nga autoritetet serbe, që tashti duhet t’i vë në lëvizje tregtarët dhe liderët politikë, për sigurimin e simboleve kombëtare, të cilat janë të ndaluara me ligj, të përdoren lirë në Luginë të Preshevës./perspektiva/