.
×

Vizat tani në dorën e finlandezëve- cila është porosia nga Helsinki për kosovarët?



Botapress 14 Qeshor- Rumania është duke numëruar ditë e fundit në krye të presidencës së Bashkimit Evropian. Kryesimin me 1 korrik të këtij viti do ta marrë Finlanda, e bashkë me të edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas atyre që janë thënë nga krerët e shtetit të Kosovës, gjasat për të ndodhë liberalizimi i vizave gjatë kryesimit finlandez janë të mëdha, andaj rëndësia që do ti japë  Përfaqësia e Përhershme e këtij shteti në Bruksel do të jetë jetike për procesin.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës për të marrë qëndrimin lidhur me atë se a do të  mbështesin Kosovën  për heqjen e regjimit të vizave.

Virpi Kankare zyrtare e lartë  Ministrinë e Jashtme të Finlandës në Departamentin e Vizave, thotë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovarët, varet në plotësimin e kushteve.

“ Liberalizimi i vizave për Kosovën, varet nga plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave”, ka thënë ajo.

Sa i përket rolit të presidencës së Finlandës në BE për çështjen e vizave, Kankare thotë se nëse kjo çështje do të jetë e hapur edhe pas marrjes së presidencës nga Finlanda, atëherë do të punojnë bazuar në punën paraprake të bërë nga shtetet tjera.

“Presidenca e Finlandës në Këshill të BE-së fillon në korrik. Nëse çështja mbetet e hapur, ne do të punojmë bazuar në punën e Presidencave paraprake” ka potencuar ajo.

Në fund thotë se është mirë të rikujtohet se vendimin për liberalizim ose jo e merr Këshilli Evropian.

“Është mirë të rikujtohet se Këshilli i merr vendimet” ka përfunduar ajo për Gazetën Express.

Në një përgjigje të më hershme për Express nga Këshilli Evropian, ishte thënë që tema e liberalizimit të vizave nuk pritet që të jetë as në rend dite në diskutimet që do të mbahen gjatë qershorit.

Përveç Përfaqësive të Përhershme të shteteve, jetik në këtë proces është edhe qëndrimi i shteteve anëtare, të cilat edhe e vendosin në rend dite të Këshillit këtë çështje.

Deri tani, Gjermania është shteti i vetëm që ka dalë hapur në përkrahje të Kosovës për çështjen e liberalizimit të vizave.

Kjo i është konfirmuar kryeministrit Haradinaj në dy vizitat e tij në Gjermani, dhe takimet me ministrin e Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, dhe tash së fundi në takim me kancelaren Merkel. Por, Haradinaj ka pranuar se kjo çështje është komplikuar dhe nuk priten lëvizje të shpejta siç e theksonte më parë.

Problematike shihet Franca.Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se ende nuk janë pjekur kushtet që Kosova të marrë liberalizimin.

Skepticizëm në rritje e sipër sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën thuhet se ka në Holandë e Belgjikë.

Megjithatë kryeministri Ramush Haradinaj, edhe pse i pasigurt për datat vazhdon të urojë kosovarët për liberalizimin.