.
×

Vetëvendosje: Autostradat janë ndërtuar nga buxheti i shtetit, s’ka nevojë për taksa



 

Pas paralajmërimit se autostradat e vendit do të bëhen me pagesë, janë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV thonë se këto autostrada janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera. Ministri në detyrë, Pal Lekaj ka deklaruar sot se një pagesë e tillë do të aplikohet, derisa ka thënë se tarifa do të jetë e përballueshme për të gjithë.

Shumë shpejt kosovarët do të paguajnë taksë edhe për të kaluar nëpër dy autostradat e vendit. “Ibrahim Rugova” e “Arbën Xhaferi”, pritet që shumë shpejt të bëhen me pagesë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se janë në pritje të studimit të fizibilitetit për të caktuar çmimin dhe kushtet e pagesave, derisa thonë se çmimi do të jetë shumëfish më i ulët se ai që ka caktuar Edi Rama në “Rrugën e Kombit”

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje deklarojnë se janë kundër një pagese të tillë.

Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhukës i ka thënë Gazetës Express se ata që kanë plaçkitur paranë publike gjatë ndërtimit të autostradave, tash po propozojnë që populli të paguajë taksa për to.

“Ndërtimet e autostradave janë shoqëruar fillimisht me një jotransparencë të madhe e tutje edhe me skandale e afera të mëdha korruptive. Vetëm te kjo e fundit kishim skandalin e madh të 53 milionëshit. Pra këta që plaçkitën paranë publike gjatë ndërtimit tash propozojnë që populli të paguaj autostradën”, ka thënë Manxhuka.

Deklaron se këto autostrada janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera.

“Këto rrugë, autostrada, janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera”, thuhet në përgjigjet e Manxhukës drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar për Gazetën Express se si po planifikohet që të vendoset tarifa në autostradat e Kosovës.

“Përfundimi i dy autostradave dhe angazhimi për përfundimin e dy të tjerave, është e kuptueshme që janë kosto për buxhetin e shtetit dhe prandaj, rrjedhimisht edhe është e kuptueshme që këto rrugë me standarde të larta duhet të kenë mundësi të mirëmbahen po në këtë standard, prandaj edhe po punohet, pa u ngutur, që të kemi në një të ardhme edhe pagesën rrugore, sikur çdo shtet i rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Lekaj.

E ndonëse ishte paralajmëruar se këto pagesa do të aplikoheshin në fillim të 2020’ës, Lekaj nuk jep ndonjë afat se kur do të vihet saktësisht tarifa.

“Ditën, javën e as muajin nuk mund ta themi se kur do te fillojë se aplikuari, por gjithsesi se në një kohë jo të largët një shërbim i tillë do të duhet të aplikohet”, ka thënë ministri në detyrë.

Ai nuk ka dhënë çmim konkret se sa do të kushtojë kalimi nëpër autostradat e Kosovës, por ka thënë se tarifa mendohet të jetë e përballueshme për të gjithë.

“Aq sa është e mjaftueshme për t’u mirëmbajtur këto autostrada nq nivelin e duhur dhe sipas standardeve evropiane. Por kjo gjithsesi jo që të rëndohet papërballueshëm ekonomia familjare e as ajo e bizneseve të pjesëmarrësve në komunikacion”, thotë Lekaj.

Gazeta ka provuar që të marrë qëndrim për këtë çështje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por në këtë parti nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, dy autostradat e Kosovës të ndërtuara me buxhetin e vendit kapin një shifër prej mbi një miliard e gjysmë euro pa asnjë ndihmë nga jashtë.

Autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë e quajtur “Ibrahim Rugova”, është lëshuar për qarkullim më 27 nëntor të 2012’ës.

Ndërkohë, autostrada Prishtinë – Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti, dhe i ka kushtuar buxhetit rreth 700 milionë euro.

Të dy autostradat janë ndërtuar nga konsorciumi turko-amerikan, Bechtel-Enka.