.
×

Veseli ironizon me LDK’në dhe VV’në: Vija të kuqe kemi me Serbinë dhe korrupsionin



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për herë të parë për vijat e kuqe që ai ka para zgjedhjeve, ku synon të marrë besimin e qytetarëve si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës.
“PDK ka vija të kuqe, ka vija të kuqe të trasha. Në rend të parë, ndaj Serbisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial do të jetë i pacenueshëm përherë e përjetë, për aq sa fuqizimi i shtetit tonë. Ka edhe disa vija të kuqe, të cilat dua t’i potencoj tani. Të gjithë të korruptuarit, ata që i përkrahin të korruptuarit dhe nepotizmin, nuk kanë me pasë vend në qeverisjen dhe në partneritetin me PDK-në. Po ua jap fjalën. Gjërat janë shumë të qarta, qytetarët e kërkojnë këtë dhe PDK e unë do ta bëjmë. Një qeverisje e cila është e përgjegjshme në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Kjo po i zbeh shpresat e të rinjve tanë. Për aq sa një qeverisje e cila i ndihmon inovatorët, rininë dhe ndërmarrësit, ky duhet të jetë orientimi, një fuqizim i shtetit dhe pakompromis ndaj çdo cenimi që i vjen sovranitetit dhe integritetit territorial. Por, mençurish një partneritet i cili nuk e çon Kosovën drejt konfrontimit me ShBA-në dhe BE-në, edhe pse disa po mendojnë se janë më të fortë. Më të fortë jemi kur jemi bashkërisht me partnerët perëndimorë. Kosova është euroatlantike, ky do të jetë drejtimi jonë. Disa janë mësuar në jetën e tyre të bëjnë vetëm vija të kuqe mes shqiptarëve, diferencojnë dhe distancojnë. Nuk i kam takuar, as kurrë nuk do t’i takon PDK, partia e UÇK-së, vijave diferencuese mes shqiptarëve”, ka thënë Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.
Lideri i PDK-së ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe deputetët e PDK-së më 22 gusht do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit.
“Opsioni më i mirë për qytetarët janë zgjedhjet. Kam thirrur seancën e Kuvendit më datë 22 gusht. PDK-ja shkon për të votuar shpërndarjen e Kuvendit. Për vetë faktin se ne duhet t’i japim qytetarëve një qeverisje e cila e ka një standard të fuqishëm në vete, luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe hapjen e perspektivës për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, për ndërmarrësit tanë. Në mënyrë që të kemi një zhvillim të hovshëm ekonomik, i cili është i mundshëm vetëm në momentin kur në këtë shtet sundon ligji dhe kur të korruptuarit, korrupsioni dhe nepotizmi largohen si fenomene. Rinia jonë duhet të jetojë në Kosovë. Ky është preokupimi im. Ky është edhe programi im qeverisës për 4 vjetët e ardhshme , por edhe i PDK-së. Ne duhet t’i japim shpresë këtij vendi, jo përçarje. Ne duhet t’i bashkojmë qytetarët tanë, jo ndarje. Ne duhet të jemi më të fuqishëm përballë të gjithë oponentëve tanë të cilët janë kundër pavarësisë, por edhe të jemi partnerë me ShBA-në dhe BE-në”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së Kadri Veseli është zotuar se gjatë qeverisjes së tij si Kryeministër, do të largojë nga gjitha institucionet publike personat e akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.
“Jo vetëm që e kam seriozisht, por do t’i shkoj deri në fund këtij rrugëtimi. Të gjitha proceset ku jam futur kam qenë shumë serioz. Edhe në luftën për liri në UÇK kur e kemi filluar në vitin 1991 ka pasur skepticizëm, por kemi arritur 12 Qershorin dhe më pas 17 Shkurtin. Edhe në largimin e uzurpatorëve të cilët për 18 vjet kanë mbajtur të uzurpuar pronën publike ka pasur hezitime dhe skepticizëm se nuk do të largohen kur e kam filluar këtë aksion si Kryetar i Kuvendit. Por ju e dini se të gjithë ata janë larguar. Këtë çka dua ta them është se e kam ndërtuar një standard e cila ka filluar nga PDK-ja, e cila do të jetë standard dhe obligim që të jetë në qeverisjen në të cilën do ta udhëheq PDK-ja për katër vitet e ardhshme me mua Kryeministër. Nuk do të ketë të korruptuar, nuk do të ketë njerëz të cilët kanë sjellje nepotike në institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo është e ardhmja e Kosovës. Ne duhet të fokusohemi në një realitet i cili është i ri dhe u jep të rinjve shanse të barabarta, njerëzve që dinë, inovatorë, atyre që kanë dëshirë dhe dashuri ndaj këtij vendi dhe punës. Ky është edhe preokupimi im”, ka thënë Veseli.
Ai po ashtu ka shpalosur një iniciativë të tij e cila do të ndodhë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes si Kryeministër i vendit.
“Për më tepër ju zotohem se brenda 6 muajve të qeverisjes sime do të filloj një iniciativë edhe më të fuqishme e cila do të drejtohet drejtpërdrejt ndaj atyre që kanë bërë pasuri në mënyrë të paligjshme në Republikën tonë. Do të ju konfiskohet e gjitha dhe nuk kanë për ta gëzuar, për faktin se ajo është pasuri e jona. Do të shkojmë drejtpërdrejt në këtë rrugëtim që t’i hapim perspektivë këtij vendi. Mos të krijojmë mjegulli dhe përçarje mes veti. Të jemi më të fuqishëm në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial përballë atyre që nuk na njohin dhe të jemi më të fuqishëm dhe më partnerë me ShBA-në dhe BE-në. Ky do të jetë rrugëtimi im dhe programi im në qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare”, ka deklaruar Veseli për Ekonomia Online.
Gjatë kësaj interviste, Veseli ka folur edhe për modelin e qeverisë së tij e cila sipas planit të tij do të jetë shumë më e vogël, por efikase.
“Do të ketë shumë më shumë njerëz të punësuar, jo vetëm në sektorin publik, më tepër në sektorin privat. Nuk dëshiroj të krijoj frikë në idenë të cilën e kam proklamuar në programin tim qeveritar. Qeveria do të jetë shumë më e reduktuar. Duhet të ketë një rikonstrukturim të qeverisjes e cila i përballon sfidat të cilat i ka Kosova. Për një ekonomi të tregut e cila është konkurruese, që përballet jo vetëm në realitetin tonë ballkanik por edhe në realitetin tonë evropian. Për një ndërmarrësi e cila është e zhvilluar, por edhe është mjaft konkurruese në çdo aspekt për të krijuar prodhim dhe për të krijuar punësim në Kosovë, por edhe të mira materiale dhe buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës. Kështu fuqizohet shteti. Të gjitha kapacitetet që i ka në tërësi Qeveria e Kosovës, do të orientohet në autostrada të inovacionit. Jo në autostrada të asfaltit, në autostrada të cilat janë të inovacionit dhe ndërmarrësisë së fermerëve, atyre të cilët mund të krijojnë të mira materiale, por në të njëjtën kohë edhe punësim. Prioritet themelor i joni është që në rend të parë, të rritet shpresa për rini, të mos na dalin jashtë se mjaft na kanë dalur dhe të krijojnë familjet e tyre këtu. Si kemi mundësi ta bëjmë këtë? Vetëm përmes një ndërmarrësie dhe një ekonomie e cila është e zhvilluar, prodhuese dhe e cila i mban të rinjtë e të rejat tona në Kosovë. Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme dhe jam shumë i bindur se do të arrihen. Nuk kemi nevojë për shumë ministra të papërgjegjshëm, aq sa nuk kemi nevojë fare për zëvendësministra pensionistë. Kemi nevojë për ministra të cilët janë të përgjegjshëm, profesionistë dhe të cilët ballafaqohen drejtpërdrejt me problemet të cilat i ka Kosova dhe iu ndihmojnë qytetarëve dhe i ndihmojnë zhvillimit ekonomik. Ky do të jetë orientimi kryesor”, tha Veseli.