.
×

Veseli bën thirrje të mos ndërrohet fokusi, të shkohet në marrëveshjen finale me Serbinë



Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka kërkuar të mos ndërrohet fokusi i Kosovës por të shkohet drejt një arritje të një marrëveshjeje me Serbinë.

“Thërras të gjithë qytetarët e vendit tim që të fokusohen në prioritetet që i ka Kosova: Drejt OKB-së, në procesin historik të marrëveshjes me Serbinë, Kosova drejt të vërtetës”, ka thënë Veseli, për RTV21.

Ai ka thënë se dje kishte udhëtuar për në Lubjane me Enver Hoxhajn, i cili pastaj ishte nisur për në Frankfurt.

Nuk e ka sqaruar se pse ishte në kryeqytetin slloven por ka thënë se s’ka asnjë ftesë nga Gjykata Speciale.

“Nuk kam pasur ftesë për Hagë”, ka thënë Veseli.Ai ka thënë se Specialen e kanë krijuar deputetët e Parlamentit të Kosovës dhe u ka bërë thirrjeve të kësaj gjykate.

“Ne e kemi krijuar në institucionin që unë e drejtoj, Gjykatën Speciale. Ka qenë një vendim i dhembshëm për të cilin u kam bërë thirrje edhe gjithë bashkëluftëtarëve. Ne duhet t’i përgjigjemi edhe kësaj sfide. Kjo është sfidë për Kosovën”, ka thënë Kryetari i PDK’së.

Ai ka thënë se do të përgjigjet në çfarëdo ftese që mund t’i vijë nga drejtësia ndërkombëtare.

“Do të ecim përpara për aq sa, nëse ka diçka urdhëroni, jemi këtu. Do të përgjigjemi para Zotit edhe para Kombit tonë dhe para çdo drejtësie për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën e shenjt të popullit tonë mbrojtëse për lirinë”, tha Kryeparlamentari Veseli.