.
×

Vëllai i Triumf Rizës rrëfen se si u vra ai



Visar Riza gjatë dëshmisë së tij tha se kishte biseduar me vëllanë e tij Triumf Rizën me telefon, pak minuta para se ai të vritej para shtatë vjetësh. Riza tregoi se ish-polici i ndjerë përcillej vazhdimisht gjatë lëvizjeve të tij nga njerëzit e Enver Sekiraqës.

Visar Riza përshkroi në gjykatë ditën kritike të vitit 2007, kur u vra vëllai i tij, ish-polic i Njësisë Speciale të Kosovës.

Atë ditë sipas Visarit të dy vëllezërit kishin shkuar me makinë afër Hotelit “Grand” ku shisnin djathin e prodhuar nga bagëtitë që kishin në fshat.

Kemi qenë së bashku në ‘Grand’ ku unë kam çuar djath pasi që e shitja aty. Triumfi më ka pritur në veturë derisa jam kthyer. Më pas ai më ka shoqëruar me veturë deri te ‘Qafa” ku unë punoja dhe pas kësaj ai kishte në plan të takohej me Adelinën [Ismailin] për kafe në Kafenenë “Am Pm” , tha Riza.

Ai më pas tregoi se kishte folur në telefon me të vëllanë pak minuta para se ai të vritej.

“Pak minuta para se të vritej unë kam folur me të në telefon dhe më ka thënë se i kishte marrë paratë e djathit, pastaj nuk kanë kaluar as dhjetë minuta dhe më kanë thirrur në telefon dhe më kanë thënë që e kanë qëlluar Triumfin prapa shpine”, kujtoi Riza.

Pastaj tha se kishte shkuar drejt e në spital.

“Unë kam shkuar drejt në spital, prindërit e mi ishin në Kaçanik, ndërsa në spital kishte shumë policë shokë të Triumfit”, rrëfeu Riza.

Ai u përlot kur tregoi për momentet e fundit të jetës së vëllait.

Riza foli edhe për përleshjen në “Swiss Casino”.

“Triumfi kishte shkuar së bashku me Arbenin [që e kishte koleg] dhe bashkëshorten e tij për festimin e kërshëndellave, ndërsa unë atë natë isha në fshatin Koliq ndërsa disa shokë më kanë thirrur dhe më kanë thënë se njerëzit e Sekiraqës e kanë gjuajtur Triumfin e Arbenin “, tha Visar Riza.

Ai bëri me dije se Triumfi ishte shumë I shqetësuar për plagosjen e njerëzve të pafajshëm gjatë kësaj ngjarjeje.

“Triumfi ishte shumë i shqetësuar për atë që kishte ndodhur dhe njerëz të pafajshëm ishin plagosur sepse e dinte që njerëzit e Sekiraqës kishin ardhur apostafat për të “, tha Riza.

Këtu ndërhyri Kosovare Kelmendi, avokatja e Enver Sekiraqës me pyetjen: Ju po thoni se ata kishin ardhur për Triumfin, por a e dini ju se kush kishte shkuar më parë aty Triumfi apo Sekiraqa?

Dëshmitari u përgjigj se nuk e dinte kush kishte shkuar i pari në këtë kazino.

Ai tha se Triumf Riza vazhdimisht përcillej nga grupi i Sekiraqës. Përmendi për këtë shumë shembuj.

“Na kanë përcjellë me disa vetura dhe një skuter, veturat ishin ‘Fiat Punto’ e bardhë, ‘Audi A3’ e verdhë dhe pas këtyre veturave gjithmonë qëndronte edhe Enver Sekiraqa me xhipin e tijë ngjyrë të gjelbër” , precizoi Riza.

Gjyqtari e pyeti dëshmitarin se si e dinte se ai ishte Sekiraqa.

“E dija sepse voziste shumë ngadalëë dhe qëndronte prapa “, u përgjigj Riza.

Edhe i akuzuari për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës si dhe për detyrim dhe dhunim, i shtroi pyetje për makinat e tij dëshmitarit, duke i thënë se pse ai nuk e përmendte makinën “Toyota” që Sekiraqa tha se e voziste.

“Nuk e di unë se a e ka vozitur këtë veturë, apo xhipin, apo të dyja “, tha dëshmitari.

Seanca e radhës në këtë rast do të mbahet të hënën.

Visar Riza: Triumfi Ishte Shumë Njerëzor

Në seancën kundër Enver Sekiraqës është duke dëshmuar Visar Riza, vëllai i ish-policit të Triumf Riza, të vrarë në vitin 2007. Sekiraqa akuzohet pikërisht për shtytje në vrasje të këtij pjesëtari të forcave të rendit, por edhe për detyrim dhe dhunim.

Visar Riza tha në gjykatore se ishte shumë i lidhur me vëllanë e tij, të vrarë para shtatë vjetësh.

“Ka qenë shumë i dashur, shumë i hapur dhe shumë njerëzor”, tha ai për Triumf Rizën.

Visar Riza tregoi më pas se vëllai i tij për herë të parë ka pasur problem me Sekiraqën në vitin 1999 ose 2000, menjëherë pas luftës, derisa kryente detyrën e policit në kuadër të Shërbimit Policor të Kosovës, në kohën e qeverisjes së vendit nga misioni i OKB-së UNMIK.

Sipas Rizës, Sekiraqa derisa po lëvizte me makinë, atëherë nuk ishte ndalur në një pikë kontrolli të policisë, duke ua treguar policëve dy bomba dore.

“Triumfi më ka thënë se kemi qenë në një pikë kontrolli te Shkolla e Mjekësisë me kolegë të punës dhe kanë hasur në veturën e Sekiraqës. Sekiraqa nuk është ndalur fare, or vetëm i ka treguar bombat”, tha dëshmitari./ Nga Kallxo.com/Titulli është i Express/