.
×

Veliu: Qëndrojmë prapa marrëveshjes me AAK-në dhe Nismën



Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka përgënjeshtruar lajmin për mundësinë që partia e tij të largohet nga marrëveshja të cilën e ka bërë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka lëvizur nga qëndrimi fillestar mbi të cilin edhe është bërë marrëveshja e LAN-it për formimin e qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, dikush mund të jetë ngatërruar dhe ta ketë keqkuptuar ndonjë deklaratë të zyrtarëve të partisë së Isa Mustafës.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këto deklarata. Ne do të vazhdojmë në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat jemi marrë vesh ,sepse kemi marrëveshje të qëndrueshme në mes nesh”, ka thënë Veliu për Telegrafin.

Ndryshe, mediat kanë raportuar të premten se LDK-ja si partia më e madhe opozitare me 30 deputetë, është në pozicion të vështirë në raport me strukturat e veta, “pasi është e pakuptueshme të jetë pjesë e një marrëveshje politike pa asnjë pozicion udhëheqës në hierarkinë shtetërore”.

“Për strukturën e LDK-së ka qenë shumë e vështirë të sakrifikojë, duke marrë në udhëheqje Kuvendin, kur dihen kompetencat e parëndësishme të kryetarit. Ndërsa, tani kur edhe kjo pozitë është e pamundur të arrihet. Është e paakceptueshme se si të ecet përpara. Në mbledhjen e kryesisë ne do të diskutojmë edhe për mundësinë që kryetari Mustafa të obligohet ta ridizajnojë marrëveshjen me AAK-në dhe Nismën, kurse LDK-së tani t’i jepet posti i kryeministrit, pasi jemi partia më e madhe me 30 deputetë. Përndryshe, strukturat e LDK-së do të jenë shumë të pakënaqur me secilën zgjidhje ndryshe”, citohet të ketë deklaruar për Indeksonline, një burim brenda LDK-së. /Telegrafi/