.
×

Vdes nga i ftohti 38­vjeçari, jetonte vetëm (Foto)



Një tjetër viktimë si pasojë e të ftohtit është shënuar në qarkun juglindor të vendit.

Një 38 vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në qytetin e Pogradecit ndërsa vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Ngjarja është regjistruar në lagjen nr 4 të qytetit liqenor ku 38 vjeçari, Anastas Shuke, i cili jetonte i vetëm është gjetur i pajetë nga disa të afërm.

Sipas të dhënave 38 vjeçari, Anastas Shuke, vuante nga skizofrenia dhe jetonte i vetëm pas vdekjes së dy prindërve të tij ndërsa në dhomën ku është gjetur i pajetë mungonte ngrohja çka ka ngritur dyshimin se vdekja e tij mund të ketë ardhur si pasojë e të ftohtit. Pas ekspertizës së vendit të ngjarjes burime të policisë kanë konfirmuar se vdekja e 38 vjeçarit është natyrale dhe në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune duke përjashtuar çdo dyshim tjetër.

38 vjeçari është viktima i dytë si pasojë e të ftohtit arktik në rajonin juglindor. Një ditë më parë një 60 vjeçar humbi jetën si pasojë e të ftohtit në qytetin e Korçës. Ilia Lifo u gjet i pajetë në një ndërtesë të braktisur në zonën e ish Poligonit të Bonifikimit në Korçë të cilën e kishte përshtatur si banesë dhe jetonte i vetëm.