.
×

Vazhdon rinumërimi : Përfundojnë 233 nga 1428 vendvotime



Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi 1428 vendvotimeve, ku deri më tani kanë përfunduar vetëm 233 prej tyre.

Procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve pritet të zgjasë më shumë se 3 javë dhe kështu vonon certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja.

Deri në orën 16:00 të ditës së premte, numri i vendvotimeve të rinumëruara ka arritur në 233 sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Njohësit e çështjeve politike kanë theksuar se vonesat dhe zvarritjet e tilla mund të përkeqësojnë gjendjen aktuale politike në Kosovë.

Ata kanë konstatur se vakuumi institucional në Kosovë më së paku i kontribon situatës politike në të cilën gjendet Kosova përballë sfidave të mëdha.

Gjithashtu, në një prononcim për lajmi.net, njohësi i zgjedhjeve dhe i Kushtetutës, Mazllum Bajraliu është shprehur se zvarritjet e tilla mund ta lënë Kosovën pa institucione deri në vitin e ardhshëm.

Sipas tij, kjo do të komplikonte edhe më tutje çështjet, derisa do të ishte hendikep i madh edhe për votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Këto vendvotime në rinumërim kanë shkuar me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.