.
×

Vazhdojnë hapjet e “Mini Bibliotekave” në lagjet e Prishtinës



Me moton “Sill një libër, merr një tjetër”, po vazhdojnë hapjet e mini bibliotekave në lagjet e Prishtinës. Vendi i radhës ku u hap mini biblioteka, është lagjja Bregu i Diellit, në parkun afër SHFMU “Ismail Qemali”.

E gjithë kjo punë po bëhet në bashkëpunimi të gjerë mes organizatave, bizneseve, institucioneve dhe qytetarëve vullnetmirë, si ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria “Dukagjini”, Forumi për Iniciativa Qytetare, Zyra e BE-së në Kosovë, Komuna e Prishtinës dhe mbi 150 qytetarë që kanë ndarë mjete financiare dhe libra për mini-bibliotekat.

Drejtori i organizatës Etea, Agon Ahmeti, tha se qytetarët kanë filluar t’i mirëmbajnë mini-bibliotekat dhe t’i konsiderojnë si pronë të përbashkët.

Ahmeti tha se librat janë të qasshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të lexojnë. Sipas tij, ky projekt nuk do të përfundojë këtu sepse për këtë vit janë paraparë 12 mini-biblioteka.

E kryetarja e kuvendit të të rinjve, Kosovare Sadiku, tha se ideja për mini-biblioteka është pritur shumë mirë nga banorët e lagjeve dhe se sa herë që vizitojnë këto mini-bibliotekat, shohin shumë qytetarë të interesuar për shkëmbim dhe lexim të librave.

Sadiku tha se përveç leximit të librave banorët kanë filluar t’i mirëmbajnë mini-bibliotekat.

Sot u hapën tri mini biblioteka në lagjen “Velania”, në parkun përballë SOS Fshatit, “Bregu i Diellit”, në parkun afër SHFMU “Ismail Qemali”, dhe “Lagjja e Spitalit”, afër SHFMU “Pavarësia”