[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Vaksina kundër koronavirusit, të dhëna pozitive nga SHBA



 

Të dhëna shpresëdhënëse vijnë nga Shtetet e Bashkuara, sa i përket krijimit të vaksinës kundër koronavirusit. Kompania Moderna njoftoi se vaksina e saj eksperimentale ka rezultuar pa probleme serioze dhe ka nxitur reagim të sistemit imunitar te 45 vullnetarët që morën pjesë në eksperiment.

Siç u bë e ditur në një njoftim, asnjë prej individëve që iu nënshtrua vaksinës, nuk shfaqi efekte shqetësuese anësore, por disa prej tyre patën reaksione të lehta, si lodhje, dhimbje koke, ethe, apo dhimbje muskujsh. Këto efekte u vërejtën kryesisht te personat që morën dy doza apo një dozë më të lartë të vaksinës, njofton ekipi shkencor në një artikull në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”.

Vaksina kandidate e kësaj kompanie përdor acidin RNA, një përbërës kimik që dikton në trup prodhimin e proteinave. Kur individi injektohet me këtë vaksinë, përbërësi instrukton qelizat për të prodhuar proteina që imitojnë cipën e jashtme të koronavirusit. Trupi reagon duke menduar se është infektuar nga një organizëm i huaj dhe angazhon sistemin imunitar.

Rezultatet e publikuara të martën bazoheshin në tri doza vaksine nga 25, 100 ose 250 mikrogramë, të bëra te grupe prej 15 vullnetarësh, me moshë 18-55 vjeç, të cilët u injektuan dy herë, me katër javë diferencë kohore.

Qeveria federale po mbështet kërkimet e kompanisë me bazë në Masaçusets me afro 500 milionë dollarë. Ekspertët thonë se vaksina do të jetë zgjidhja përfundimtare e pandemisë, që ka prekur miliona vetë dhe ka shkaktuar afro 575 mijë viktima në shkallë botërore.

Menu Title