.
×

Vajza e të vrarit: Thaçi po i stimulon vrasësit



Vajza që mbeti jetime pasi i vranë babanë po e sheh si poshtërues vendimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të falur dy vjet nga dënimi i vrasësit.

Dekreti i fundit i Presidentit për të falur 14 të burgosur në Burgun e Dubravës ka shkaktuar reagim nga njëra familje e dëmtuar.

 

Agron Arifi ishte një burrë nga Prishtina që u vra nga Ruzhdi Misini në vitin 2010.

Misini ishte dënuar me 13 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa me vendimin e Presidentit atij iu falën dy vjet.

 

Arbenita Arifi, vajza e Agronit thotë se për këtë dekret u njoftuan përmes mediave dhe lajmi i tronditi.

 

“U kanë njejtë sikur atë ditë kur e kemi varrosur babën kur na ka shku, e kur e kemi marrë vesh se çfarë ka ndodhur, e njejta u kanë, veç edhe ma keq. Jam kanë në polici edhe më thanë që ky është vendim i Presidentit dhe nuk ki  çka me bo”, tha Arifi.

Ajo po ashtu pati një porosi për Presidentin që sipas saj duhet të ndikojë në parandalimin e vrasjeve, e jo stimulimin e tyre.

 

“Presidentit i kisha thanë nëse menon ai me i ndalë këto vrasje që po bëhen çdo ditë, ai nuk duhet të falë njerëz që kryejnë vrasje, që marrin jetë, që e lajnë dikënd me u rritë pa babë”, porositi Arifi.

 

14 persona të dënuar me burg kishin përfituar nga falja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në fillim të këtij muaji.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur një dekret për falje për 14 të dënuar që po vuajnë dënimin në Burgun e Dubravës.

 

Ai mori vendimin sipas rekomandimit të Komisionit për Shqyrtimin e Kërkesave për Falje.

 

Kallxo.com ka siguruar raportin e këtij komisioni i cili thotë se falja u bë për shkak të “pendimit të të dënuarit për veprën e kryer, sjelljes së mirë gjatë kohës së mbajtjes së dënimit në institucion dhe arritja e risocializimit”

 

Sipas aktakuzës, Ruzhdi Misini dhe Agron Arifi kishin pasur mosmarrëveshje dhe ishin rrahur për shkak të pluhurit të shkaktuar nga Arifi që ishte duke punuar me pllaka betoni. Disa orë më vonë, Misini kishte goditur me plumb në fytyrë Arifin duke e lënë të vdekur.