.
×

Uzurpatorit Bedri Selmani, shteti ia merr pompat e benzinës pas 15 vjet abuzimi



Pompat e derivateve të kompanisë “Kosova Petrol” tash e tutje nuk do të menaxhohen nga uzurpatori, Bedri Selami. Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vendosur që 10 pikat shitëse të derivateve ti lëshoj me qira. Këtë vendim e ka bërë publike sot vetë AKP’ja.

Ky agjencion ka bërë me dije se këto pika do të qiten në ankand publik, dhe palët e interesuara mund t’i marrin në shfrytëzim duke i paguar qira shtetit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton opinionin e gjerë se përmes një procesi konkurrues dhe të hapur përmes ankandit publik ka lëshuar me qira 10 pika të karburanteve në pronësi shoqërore”, ka bërë të ditur AKP’ja.

AKP’ja po ashtu ka treguar se në bazë të mandatit të saj ligjor është përgjegjëse për pronën shoqërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe sipas saj me qëllim të ruajtjes dhe rritjes së vlerës së këtyre pikave të karburanteve ka ndërmarr edhe veprimin për lëshimin me qira në shfrytëzim të bizneseve private.

“…pikat e karburanteve janë asete të Ndërmarrjeve “INA Trgovina” dhe “Jugopetrol”, të cilat evidentohen në bazën e të dhënave të AKP-së dhe administrohen nga Agjencia. Vendimi për lëshimin e tyre me qira është marrë në Bordin e Drejtorëve të AKP’së, ndërsa kontratat e qirasë janë nënshkruar nga Agjencia”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka bërë të ditur se është në proces të lëshimit me qira edhe të pompave të tjera të derivateve deri në vendimin e ardhshëm të Bordit të Drejtorëve.

Bedri Selmani, që është njeri i afërt i PDK’së ka menaxhuar nga paslufta me pompat e “ Kosova Petrol”, pronare legjitime e të cilave është “ INA Trgovina” nga Kroacia.

Selmani për shfrytëzimin e këtyre pompave i kishte paguar shtetit kroat vetëm një vit qira, kurse vitet e tjera nuk kishte derdhur asnjë cent në llogaritë e këtij shteti. Duke bërë kështu që me këto pompa të punoj si ozurpator.

Pronari i “Kosova Petrol” Bedri Selmani kishte marrë obligime nga UNMIK’u që të paguante 70 mijë marka në muaj për shfrytëzimin e pompave të karburanteve të naftës të ndërmarrjes kroate “INA”. Këtë shumë Selmani e kishte paguar nga janari i vitit 2000 e deri në dhjetor të vitit 2001. Pas dy vite pagese të qirasë, Selmani e kishte ndërprerë këtë duke i mbetur borxh shtetit për miliona euro.