.
×

Ura interesante mbi liqenin e Suhadolli  atraksion i vërtetë për qytetarët e Mitrovicës e më gjerë



 

Investimi mbi katër milionësh në lumin Ibër, për të ndërtuar liqenin akumulues në Suhadoll, duket jetë investimi mjaft i qëlluar për interesin publik, përkatësisht për interesin e qytetarëve të Mitrovicës dhe jo vetëm.

Hapësira e rregulluar për mrekulli në të dyja anët e lumit, është duke u shfrytëzuar edhe në këto ditë dimri përtej parashikimeve. Halit Barani, kryetar i Qendrës Rajonale të KMDLNJ në Mitrovicë, pothuaj se për çdo ditë e shfrytëzon këtë hapësirë për rekreacion, shëtitje, vrapim dhe ushtrime.

“Këtu po gjej qetësinë time të kërkuar. Dhe jo vetëm unë. Këtu edhe gjatë këtyre ditëve, që nga mëngjesi i hershëm e deri në orët e vona të mbrëmjes, pra në çdo kohë, defilojnë qindra e qindra njerëz, jo vetëm nga Mitrovica, por edhe nga qytetet tjera. Disa vijnë me fëmijët e tyre e familje, disa për të vrapuar, të tjerët për tu fotografuar e kështu me radhë. Është ndërtuar një hapësirë e bukur për pushim e rekreacion. Ditëve të verës dhe vjeshtës, këndejpari frekuentonin mijëra njerëz, të cilët liqenin, edhe pse uji pak i ftohtë, e shfrytëzonin edhe për plazh”, tha ai ndër të tjera.

Mirëpo, atraksion i vërtetë në këtë liqe duket të jetë ura mbi të për qarkullim të njerëzve, e rregulluar   në mënyrë harkore, e cila qëndron pezull e përforcuar nga lidhëset e metalta në harkun tjetër vertikal disa metra  më larg, e cilat gjatë kalimit të qytetarëve lëkundet (dridhet poshtë-lartë).  Mbi urë takuam shumë qytetarë. Në mesin e tyre pati edhe qytetarë nga Vushtrria e Prishtina, me familjet e tyre.

Për tu fotografuar pikërisht mbi këtë urë, kishte ardhur edhe e reja e lindur në Mitrovicë, por që jeton në Norvegji, Hajrije Shabani, e cila ka mbaruar fakultetin e shkencave  për mirëqenie sociale dhe menaxhim të mjekësisë sociale.

“Këtë hapësirë të rregulluar mirë dhe këtë atraksion nuk e kam në qytetin ku unë jetoj në Norvegji. Për mua është diçka magjepse. Është një investim i shkëlqyeshëm i autoriteteve për interesin e qytetarëve, që siç po shihet, po shfrytëzohet jashtëzakonisht shumë nga mitrovicasit dhe qytetarë të tjera qyteteve. Është qetësi e mrekullueshme dhe pamje e jashtëzakonshme. Shikoni patat e shumta në ujë,ndërsa përreth zogj të ndryshëm, që e kompletojnë bukurinë e kësaj hapësire”, tha ajo.