.
×

U tha se ka marrë 200 mijë euro, Veseli çon kallëzim penal në Prokurori



Kryeparlamentari Kadri Veseli ka dorëzuar kallëzim penal për personat që gjatë një videoje ku po kryenin shantazh i thanë një biznesmeni se ‘200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli’.

Veseli ka njoftuar se ai ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, pasi thotë se i është keqpërdorur emri nga një grup kriminal.

“Sot kam deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të keqpërdorimit të emrit tim nga një grup kriminal. Unë do t’i shkoj deri në fund qartësimit të këtij rasti dhe sjelljes para përgjegjësisë penale për të gjithë të përfshirët, ata që e kanë bërë krimin dhe ata që e kanë fshehur krimin për gjashtë vjet”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ndryshe në një video që është publikuar dje në media, Kadri Rexhepi nga Ferizaj dëgjohet duke i thënë biznesmenit Faton Dalladaku se duhet të jap para dhe se “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli”.

Emri i Veselit është dëgjuar edhe më herët kur një nga të arrestuarit nën dyshime për fajde e mashtrim, Rrahim Hashimi, thoshte se është i afërt me Kadri Veselin.

Në fakt, Hashimi është parë në fotografi me disa figura të PDK’së, përfshirë deputetin Hajdar Beqa.