.
×

U përurua me sukses libri kushtuar Skënder Kodrës



Sot, te salla  “UNESKO” e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, u përurua libri “Prof. dr. Skënder Kodra PhD, shkencëtari patriot”, i autorit Fatos Daci, libër i dytë i këtij autori i përuruar po në këtë mjedis brenda 4 ditëve. Më 30 nëntor, z.Daci përuroi librin “Estref Gjoshi, Nderi i Belshit”.

Ishte një pjesëmarrje e paparë, salla ishte pilas, nuk kishte një karrige bosh, madje disa qëndruan edhe në këmbë, një pjesëmarrje e denjë dhe për personazhin e librit, prof. dr. Skënder Kodrën, kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, me seli në Nju Jork, SHBA.

Ndër të tjerë, ishin të pranishëm familjarë të z.Kodra dhe z.Daci, miq e kolegë të tyre, intelektualë, profesorë e doktorë shkencash, shkrimtarë, gazetarë, veprimtarë të shoqërisë civile, drejtues të shoqatave të ndryshme; qytetarë nga Tiranë, Kukësi,  Dibra, Shkodra, Çamëria, Kosova dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, mes të cilëve edhe z.Mynir Koni- rektor i Universitetit të Tiranës, akademik Isuf Kalo-kolos i mjekësisë shqiptare, z. Gaqo Apostoli-kryetar i Federatës Botërore të Paqes Universale, prof. dr. Agron Fico-nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, z. Flori Bruqi-anëtar i akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe koordinator i kësaj Akademie, z.Rauf Dinaj – ish zëvendësministër i Arsimit, z. Hysen Kosovrasti –ish drejtor i Arsimit në komunën e Dibrës,  anëtar i Akademisë dhe autor i disa librave etj.

Rreth vlerave ideo-artistike të librit folën: z. Xhavit Lashi-anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe recezent i librit, prof. dr. Agron Fico, prof. dr. Flori Bruqi -anëtar i Akademisë dhe koordinator i saj, dr. Arian Hamiti, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe këshilltar pranë stafit të kryetarit të bashkisë së Tiranës; av. Nikol Kola -anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe autor i disa librave historikë; z. Hysen Kosovrasti etj..

Redaktori i librit, prof. dr. Jordan Daci, nuk ishte i pranishëm për shkak se ndodhej në Paris, për të marrë çmimin ndërkombëtar si studioja ligjore më e mirë, që i është akorduar.

Përshëndetën të pranishmit dhe thanë fjalë miradije për profesor Kodrën dhe autorin: z. Mynir Koni, z. Isuf Kalo, z. Gaqo Apostoli, publicisti Nebi Dragoj, profesoreshë  Elinda Dibra-shefe e katedrës së Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, z. Naim Tota-anëtari më i ri Akademisë dhe prokuror në Tiranë, znj. Sanie Selita-bashkëshortja  e prof. Kodrës, znj.Xhevahire Gjelaj-koordinatore e Akademisë.

 

  1. Pjetër Marku, piktor, i dhuroi z. Skënder Kodra një album me 500 piktura të tij dhe numrin e fundit të revistës ”Mirdita”. Nga një kopje të botimeve të tyre ia dhuruan zotit Kodra edhe z.Xhavit Lashi dhe z.Nikoll Kola.

Vetë profesor Kodra përzemërsisht falënderoj të gjithë të pranishmit dhe autorin e librit. Ndërkohë, autori i librit falënderoj të pranishmit dhe të gjithë oratorët që morën fjalën në këtë takim, për vlerësimet dhe konsideratat që ata shprehën publikisht për z.Kodra dhe z.Daci.

Në këtë aktivitet, nga znj. Xhevahire Gjelaj  ndau certifikatat e  pranimit si anëtar të rinj të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave edhe për 8 intelektualëve të tjerë. Znj. Gjelaj i dorëzoi zotit Kodra edhe një Mirënjohje nga Shoqata e Miqësisë Francë-Shqipëri.

Pastaj, për të gjithë të pranishmit prof.dr. Skënder Kodra shtroi një koktej.

“Dibra”