.
×

U lansua Pulsi Publik XIII, ngritet kënaqshmëria me institucione



 

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot Pulsin Publik XIII që bazohet në anketën e kryer gjatë fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit 2017 dhe ndjek traditën e përmbledhjeve të mëparshme që shqyrtojnë situatën në zhvillim në Kosovë sipas aspekteve kyçe të saj.

Rezultatet e anketës së fundit tregojnë një rritje të kënaqshmërisë me punën e institucioneve të Kosovës; rreth 36% e kosovarëve u deklaruan të kënaqur me institucionet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të kombinuara (krahasuar me 21% në tetor 2016). Teksa niveli i përgjithshëm i kënaqshmërisë me orientimin politik të Kosovës mbetet i ulët, anketimi i tetorit 2017 tregon rritje të moderuar (14% krahasuar me 8% në tetor 2016). Edhe perceptimi i qytetarëve për sigurinë është rritur me rreth 10 pikë përqindjeje.
Në mënyrë të ngjashme, janë rritur edhe treguesit e Pulsit Publik për Demokratizimin (TD) dhe Besueshmërisë Ekonomike (TBE), të cilët përcjellin mendimet e kosovarëve për praktikat demokratike (votimi, liria e shprehjes, etj.) dhe perceptimet për kushtet mbizotëruese ekonomike, por ende mbeten të ulët. Në një shkallë nga 0, rezultati më i ulët, në 3, rezultati më i lartë, TD shënoi 1,37 dhe TBE shënoi 1,22. Përkundër luhatjeve të raportuara në perceptimet e qytetarëve, nivelet e përgjithshme të kënaqshmërisë me performancën e institucioneve kyçe të Kosovës janë mjaft të ulëta. Nëpërmjet Anketës së Pulsit Publik, qytetarëve iu kërkua të identifikojnë problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova sot. Ndër të tjera, qytetarët raportuan papunësinë (40% në krahasim me 48% në tetor 2016), korrupsionin (17% në krahasim me 7% në tetor 2016) dhe varfërinë (9% në krahasim me 21% në tetor 2016) si problemet kryesore që ndikojnë në mirëqenien e tyre sociale.