[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

U furnizua me energji elektrike kundërligjshëm, pranon fajësinë



I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Halit Gashi, e ka pranuar fajësinë, në seancën e shqyrtimit fillestar që është mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes, Muharrem Bajraktari, i akuzuari Gashi, fillimisht ka deklaruar se nuk e ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet, mirëpo sipas tij, pasi që nga ana e KEDS-it ka prova, atëherë siç ka thënë ai, duhet pranuar fajësia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë gjendem jashtë vendit shpeshherë. Unë nuk e di se kush ka mujt me e krye këtë vepër, po masi punëtorët e KEDS-it e kanë gjet orën ashtu, unë duhet me e pranu këtë vepër. E pranoj fajësinë”, ka thënë i akuzuari Gashi.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Gashi, është pajtuar prokurori Bajraktari, i cili tha ky pranim i fajësisë është i bazuar në shkresat e lëndës, ndërsa me aktvendim atë e ka aprovuar pastaj edhe gjykatësi i rastit, Jashar Gashi.

Gjykatësi Gashi, ka thënë se aktgjykimi do të shpallet më 20 nëntor 2019, në orën 14:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 tetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Halit Gashi, akuzohet për shkak se më parë e deri më 10 korrik 2017 dhe në vazhdimësi, në fshatin Perqevë të Klinës, pikërisht në shtëpinë e tij, siguron shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm me shkëmbim të kompensimit dhe shmang pagesën për shërbime të furnizimit me energji elektrike.

Në aktakuzë thuhet se pas vizitës së bërë nga ana e komisionit të autorizuar të KEDS-it, në shtëpinë e të pandehurit, kanë hasur në njehsor të shkyçur nga rrjeti elektrik dhe përmes degëzimit, me kabllo 3×2 mm, është lidhur direkt në rrjetin elektrik, ashtu që në mënyrë të paautorizuar ka shpenzuar energjinë elektrike me pajisjet e cekura në procesverbal, ku si pasojë e kësaj të dëmtuarit KEDS, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 276.11 euro.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Halit Gashi, akuzohet se ka kryet veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1, lidhur me nenin 77, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Halit Gashi, akuzohet për shkak se më parë e deri më 15 dhjetor 2017 dhe në vazhdimësi, nga ana e komisionit të autorizuar të KEDS-it, në shtëpinë e të pandehurit, kanë hasur në njehsor të shkyçur dhe pa bllombë distributive dhe përmes kabllos 3×2.5 mm, është kyçur direkt në rrjetin elektrik, ashtu që në mënyrë të paautorizuar ka shpenzuar energjinë elektrike me pajisjet e cekura në procesverbal, ku si pasojë e kësaj, të dëmtuarit KEDS i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 189.92 euro.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Halit Gashi, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1, lidhur më nenin 77, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Menu Title