.
×

U bë nënë gjatë kandidimit për deputete, ja sa vota mori zëdhënësja e VV-së



Zëdhënësja për media e LVV, njëherësh kandidate për deputete në këto zgjedhje, Tinka Kurti ka falenderuar të gjithë votuesit të cilët kanë mbështetur këtë subjekt politik.Lëvizja Vetëvendosje arriti të sigurojë 32 mandate ndërsa Kurti e 33 në radhë me 7635 vota nuk arriti ta fitojë madantin e deputetes .Ajo ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën në kohën e kandidimit të saj, kohë në të cilën ajo u bë dhe nënë për herë të aprë.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë, mbështetës të Lëvizjes, të dashur e të dashura aktiviste, miq e familjarë,Prej rezultateve të publikuara ndjej që duhet të bëj shumë falenderime. Lëvizja jonë ka fituar votat dhe besimin e 220811 qytetarëve duke u bërë fituesja e zgjedhjeve me një diferencë prej mbi 14 mijë votash më shumë se subjekti i dytë, mbi 42 mijë më shumë se të tretët e kështu me radhë. Ky rezultat i jashtëzakonshëm na bën edhe me shumë përgjegjës për punët e shumta që na presin.

VETËVENDOSJE! ka fituar 32 mandate, kurse personalisht jam e 33 me radhë me 7635 vota. Dua ta falenderoj secilën e secilin pafund e prej thellësisë së zemrës për besimin e treguar si kandidate për herë të parë. Këto vota, të shpërndara gati proporcionalisht në çdo cep të Kosovës më emocionojnë shumë e më bëjnë borxhlie për aktivizëm e angazhim politik. Rezultatin personal e lexoj shumë pozitivisht e me një mirënjohje të thellë, veçanërisht duke ditur rrethanat shumë specifike personale, që prej shpalljes së kandidaturës derisa isha ende në spital, një ditë pasi isha bërë nënë dhe kisha sjellë në jetë krijesën e mrekullueshme, Janin tim, ndodhesha 1 mijë kilometra larg Kosovës dhe vetëm pesë ditë të fushatës isha e pranishme në tubime e takime, sërish me kohë të kufizuar për shkak të nevojave të birit tonë e gjendjes sime fizike.

Por ky rezultat është fryt i ndihmës së shumë njerëzve, të afërm, aktivistë, miq, madje edhe shumë prej atyre që nuk i njoh personalisht.Dua ta ndaj edhe një satisfaksion personal. Këto zgjedhje kanë bërë një revolucion. Jo vetëm të gjitha gratë janë zgjedhur pa kuotë, por është tejkaluar minimumi i kërkuar prej 30 % duke u zgjedhur 11 gra nga 32 në total. Kjo tregon se ka ardhur koha për kërkesa më të mëdha si gra. Minimumi nuk mjafton dhe ne meritojmë shumë më shumë. Të paktën gjysmën. Por duket se jemi në rrugë të mbarë e na priftë e mbara!

Gëzuar fitoren e përbashkët!