.
×

Trump pretendon se mediet po e fajësojnë atë për ndodhitë në Zelandën e Re



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shprehur ankesa përmes rrjetit social “Twitter” për mediet, duke thënë se ai po fajësohet për sulmin në xhamitë e Zelandës së re.

Ai e dënoi sulmin, por gjithashtu shtoi se nuk beson se kërcënimi i nacionalizmit të bardhë është duke u rritur.

Presidenti amerikan i bëri këto komente shkurt pasi përshkroi situatën e imigrantëve në Shtetet e Bashkuara si një “pushtim”, term i njëjtë që sulmuesi e përdori për emigrantët myslimanë.

Gjuajtësi i akuzuar shkroi një manifest për supremacinë e bardhë, në të cilën ai e lavdëroi Trumpin si “një simbol i përtërirë i identitetit të bardhë dhe qëllimit të përbashkët”, por tha se ai nuk i mbështet politikat e tij.

Shtëpia e Bardhë të dielën i mohoi tentimet për një ndërlidhje të sulmuesit me Trumpin.

“Presidenti nuk është supremacist i bardhë”, tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, për “Fox News”. “Nuk jam i sigurt sa herë duhet ta them këtë”, shtoi ai.

“Nuk mendoj se është e drejtë ta portretizojmë këtë person si mbështetës të Donald Trumpit” shtoi Mulvaney. “Ai është person i ligë” tha shefi i stafit, shkruan “The Guardian”.