.
×

Trump dëshiron tërheqjen e trupave nga Siria



 

 

Shtëpia e Bardhë ka thënë se misioni i Shteteve të Bashkuara në Siri nuk ka ndryshuar, duke përsëritur qëndrimin e presidentit Donald Trump se dëshiron që trupat amerikane të kthehen në shtëpi “sa më shpejt që është e mundur”.
Këto deklarata vijnë pas sulmeve ajrore që Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kryen në Siri, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma më 7 prill, ku u vranë dhjetëra persona.

Sulmet ajrore ishin parë si sinjal të përfshirjes më të thellë të SHBA-së në konfliktin 7-vjeçar sirian.

Por, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders ka thënë se Trump “e ka bërë të qartë se ai dëshiron që forcat e SHBA-së të kthehen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Ne jemi të përkushtuar që të shkatërrojmë plotësisht grupin militant Shteti Islamik dhe të krijojmë kushte që ata të mos kthehen më”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

“Prandaj, ne presim që aleatët tanë rajonalë dhe partnerët, të marrin përgjegjësi më të mëdha, si në aspektin ushtarak dhe atë financiar, për të siguruar rajonin”, ka thënë Sanders.

Komentet e Sanders vijnë pasi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se SHBA nuk do të tërheqë trupat menjëherë, duke thënë se përfshirja e SHBA-së në Siri “nuk ka përfunduar”.

“Në një pikë, ne duam që të shohim trupat tanë të kthehen në shtëpi. Sigurisht ky është qëllimi. Por, janë tri gjëra që ne duhet të bëjmë atje. E para, presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë se nuk mund të kemi përdorim të armëve kimik dhe ne do të vazhdojmë ta luftojmë këtë, në mënyrë që të mbrojmë interesat amerikane”.

“E dyta, ne duam të sigurohemi që ata ta kuptojnë se IS duhet të mposhtet dhe të shkatërrohet plotësisht, në atë mënyrë që ne të dimë se e kemi stabilizuar rajonin. Kemi bërë përparim fantastik në këtë aspekt. Por, ne nuk do të ndalemi derisa të kemi larguar IS-in nga kjo zonë.E treta, ne duam të sigurohemi se ndikimi i Iranit nuk shpërndahet në këtë zonë. Ata vazhdojnë të shkaktojnë probleme përgjatë rajonit dhe ne duam të sigurohemi që kjo të ndalet. Presidenti u ka kërkuar aleatëve që të nëjnë më shumë kur vjen puna për Sirinë. Prandaj, të gjitha këto po bëhen në emër të kthimit të ushtrisë sonë në shtëpi”, ka thënë Haley.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë vjen pasi presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se ai e ka bindur Trumpin që të vazhdojë të jetë i përfshirë në Siri “për një periudhë të gjatë kohore”.

Macron ka thënë se “dhjetë ditë më parë, Presidenti Trump dëshironte të tërhiqej nga Siria. Ne e kemi bindur që të qëndrojë”.

Ai ka shtuar se Franca dëshiron të nisë një iniciativë diplomatike për Sirinë, ku do të përfshiheshin fuqitë Perëndimore, Rusia dhe Turqia.

Ndërkaq, Trump më 15 prill e ka informuar me shkrim Kongresin për vendimin e tij për të kryer sulme ajrore në Siri.

Sipas ligjeve në SHBA, presidenti duhet të mbajë të informuar Kongresin për veprime të tilla.

Trump u ka thënë ligjvënësve se ai ka vepruar për të “promovuar stabilitet në rajon, për të penguar përdorimin dhe përhapjen e armëve kimike dhe për të shmangur një përkeqësim të katastrofës humanitare në rajon”. /REL