.
×

Tri parimet kyç të dialogut



Nëse synohet mëkëmbja e besimit në mes të politikanlve shqiptarë në temën e dialogut, do të duhej të arrihej dakordimi për elementet që i bashkojnë ata.

Çështja madhore e arritjes së Marrëveshjes ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes të së cilës do të normalizoheshin marrëdhëniet në mes dy shteteve, nuk mund dot të trajtohet si duhet, poqëse do të vazhdohet, në këtë politikën kosovare, me një debat të vazhdueshëm publik, i cili nuk ka gjasa  (si po duket), për të marrë një drejtim pozitiv, frytdhënës, të dobishëm. Përkundrazi. Të gjitha shenjat çojnë në një drejtim të kundërt, i cili shquhet me tiparet më problematike të mundshme.

Si politikë dhe si shoqëri, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, ne nuk jemi të gatshëm, të përgatitur dhe të organizuar që në mënyrë të matur të diskutojmë për këtë temë, adresimi dhe zgjidhja e të së cilës janë detyrim parësor i politikës kosovare. Dihet pse.

Në realitet, shumëkush këtu do të mund të shtonte që ne nuk jemi treguar të suksesshëm tash e sa vjet, në shqyrtimin publik të asnjë teme me rëndësi për fatin e qytetarëve të Kosovës. Përjashtimi i vetëm në këtë aspekt është rasti i Ratifikimit të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Por edhe për këtë arritje, u dashtën gati tri vjet përplasje të rënda politike, të cilat duket që kanë instaluar, në këtë skenën politike të vendit, logjikën që vetëm me kundërshtime të kësisojta politike, mund të ketë përfitime për politikanë dhe për parti politike.

Sidoqoftë, mësimi i parë dhe kryesor të cilin do të duhej ta kuptonin të gjithë politikanët e këtij vendi që kanë peshë specifike në Kosovë, është që kur bëhet fjalë për finalen e dialogut politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej synuar ndërtimin e besimit në mes tyre, sepse kemi të bëjmë me një çështje që ka ngarkesë të madhe politike dhe emocionale, dhe që deshtëm apo nuk deshtëm, njëkohësisht na kthen në vitet e rënda të luftës, dhe kërkon prej neve që të jemi të orientuar kah ardhmënia e këtij shteti, e cila, në këtë aspektin shumë të rëndësishëm të stabilitetit aftagjatë ndërkombëtarë  (me anëtarësimin në OKB, e më pas edhe në Aleancën Veri-Atlantike dhe në BE), është drejtpërdrejtë e varur nga fati i dialogut të Brukselit.

Është tepër vështirë, mbase edhe e pamundur që Kosova të përfaqësohet si duhet në këtë bisedime, nëse besimi në mes të politikanëve kryesor të vendit, nuk do të mëkëmbet, duke iu shmangur maksimalisht konfrontimeve publike, dhe duke u përqëndruar në biseda intenzive fillimisht joformale, spontane, e pastaj, edhe formale dhe publike.

Në shikim të parë së paku, nuk duket e pamundur që të ndodhin këto bisedime, me pjesëmarrjen e autoriteteve institucionale por gjithsesi edhe të përfaqësuesve të opozitës.

Rëndom, relacioni i Kosovës me Serbisë, së paku në këtë historinë e re të saj që matet me tridhjetë vjet, ka qenë faktor që i ka bashkuar politikanët dhe qytetarët shqiptarë të Kosovës. Vetëm tani po ndodhë e kundërta, ndërsa tani na duhet më shumë se kurrë më parë një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të gjithë faktorëve relevantë politik të Kosovës.

Poashtu, një analizë gjakftohtë e këtij procesi për Kosovën  (e dialogut me Serbinë, pra), do të gjejë shumë më tepër elemente që i bashkojnë thuaja të gjithë politikanët dhe partitë kosovare, sesa elemente që i ndajnë ata. Ndërsa nëse dëshirohet të forcohet besimi në mes tyre, në radhë të parë do të duhej të arrihej dakordimi për këto elementet që objektivisht duken të qarta dhe përbashkuese.

Së pari, nuk ka dyshim që tema e dialogut të Kosovës me Serbinë, duhet të merr fund një herë e përgjithmonë, dhe atë, sa më parë që është e mundur, sepse është interes jetik i Kosovës. Ka njëzet vjet që bisedojmë me Beogradin. Nuk mundemi të harxhojmë edhe njëzet vjet të tjera në këto bisedime.

Së dyti, normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk mund dot të arrihet dhe të jetë i qëndrueshëm, nëse nuk do të ketë njohje formale në mes të dy shteteve. Të gjitha opsionet e tjera të cilat kanë qarkulluar më parë, edhe në trajtë të një njohjeje de fakto  (por jo edhe formale), në mes të Kosovës dhe Serbisë, duket që janë me afat të skaduar.

Së treti, njohja formale në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të mundësonte që Kosova ta merr vulën finale të pavarësisë, përmes anëtarësimit në OKB, dhe pastaj, të sigurojë rrugëtimin e vet kah Pakti NATO dhe BE-ja.

Këto tri parime themelore janë të pranueshme për të gjithë./bp/