.
×

Tri gra kosovare në garë për Çmimin Oscar



Tri regjisore të industrisë së filmit kosovar, Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe More Raça, janë kualifikuar për edicionin e 91-të të Çmimeve të Akademisë – Oscar.

“Këto tri kualifikime vetëm sa vazhdojnë ta pasqyrojnë trendin e zhvillimit të industrisë kosovare të filmit, derisa po prodhojmë gjithnjë më shumë filma dhe i ndajmë ata me botën. Kemi shpresa të mëdha për atë se çfarë do të sjellë e ardhmja për talentët tanë”, tha Arben Zharku, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë nga Blerta Zeqiri, ‘Martesa’ fitoi çmimin ‘Fipresci’ dhe çmimin special të jurisë në festivalin ‘Tallin Black Nights’ në vitin 2017.

Në vitin 2012, po e njëjta e fitoi çmimin e jurisë për filmin e shkurtër ‘Kthimi’ në festivalin e filmit Sundance.

Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu luajnë protagonistët në rrëfimin e një burri që e mban një fshehtësi nga gruaja e tij, se është i dashuruar në shokun e tij të ngushtë. Në një intervistë për ‘Hollywood Reporter’, duke folur për motivimin e saj për ta shkruar këtë histori, Zeqiri tha “nuk ka kuptim të ndalohet dashuria”. ‘Martesa’ është propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

Filmi i shkurtër i Lendita Zeqirajit, ‘Gardhi’ u kualifikua duke ngadhënjyer si filmi më i mirë i shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hamptons dhe si filmi më i mirë nën 15 minuta në festivalin e filmit të shkurtër në Palm Springs.

Ky film e përcjell një fëmijë të vogël, të cilin e luan Art Lokaj, duke u ballafaquar me veset e familjes së tij, derisa miku i tij rom e pret jashtë. Filmi prek mbi temën e përjashtimit, shovinizmit dhe racizmit në shoqërinë kosovare.

‘Ajo’ nga More Raça është përzgjedhur si njëri ndër finalistët e ‘Manhattan Short Film Festival’. Filmi është shfaqur në mbi 350 qytete nëpër 6 kontinente dhe ka fituar të drejtën të garojë për Oscar.

‘Ajo’ flet për temën e dhunës në familje dhe e përcjell trimërinë e një vajze të vogël, të luajtur nga Diella Valla, e cila e bën të pamundurën për ta shpëtuar vetveten dhe nënën e saj, të cilën e luan Aurita Agushi.