[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Tre maturatëve me koronavirus MASH-i ua mundëson që të hyjnë në test pas shërimit



 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), do t’u mundësojë tre maturantëve që të hyjnë në test pas shërimit nga COVID-19, pasi që ditën kur është mbajtur testimi ata ishin paraqitur se janë të infektuar me këtë virus.

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Maturës, Gëzim Berisha, ka sqaruar se maturantët lartëpërmendur janë nga Gjakova, Deçani dhe Gjilani.

Sipas tij, nëse ata shërohen deri në afatin e dytë do të hyjnë në test, mirëpo nëse ndodh e kundërta atëherë për ta do të organizohet një ditë e veçantë e testimit.

“Nëse shërohen këta tre nxënës hyjnë në afat të dytë mirëpo nëse nuk shërohen atëherë për këta nxënës do ta bëjmë një organizim të veçantë dhe nuk do t’ia humbim të drejtën në test këtyre nxënësve”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se asnjë nxënës nuk do ta humbas të drejtën e hyrjes në testin e maturës.

“Më herët kemi mbajtur edhe një test të maturës shtetërore për kandidatët të cilët janë regjistruar në universitetet jashtë vendit dhe për shkak të gjendjes me pandeminë është dashur të udhëtohet më herët. Është kërkuar që të kenë një certifikatë të testit të maturës shtetërore. Ne e kemi organizuar atë test, 103 nxënës e kanë kaluar dhe kanë ndjekur rrugën e tyre”, shtoi Berisha për EO.

26 mijë e 699 maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar testit të maturës më 29 gusht, përderisa rezultatet do të publikohen të hënën.

Berisha bëri të ditur se me përfundimin e testit të maturës, nëse nxënësit nuk janë të kënaqur me rezultatet, kanë të drejtë ankese.

“Pas përfundimit të testit të maturës, rezultatet përfundimtare pritet të dalin me 7 shtator, ndërsa pas kësaj date kemi kohën e ankesave prej 8, 9 dhe 10 shtator dhe pas shqyrtimit të këtyre ankesave do të dalin edhe këto rezultate me 14 shtator kur ne realisht e dimë se sa nxënës në total e kanë kaluar testin e maturës shtetërore dhe sa nuk kanë mundur që të kalojnë në pjesën e dytë të testit të maturës shtetërore”, përfundoi ai.

 

 

 

Menu Title