.
×

Trajkoviq: Radojçiq vendos për jetë e vdekje në Mitrovicë të Veriut



 

Ish-deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë të ketë dëgjuar se përfaqësuesit e shteteve perëndimore takohen me Milan Radojçiqin për shkak se e shohin si një person që vendos për jetë e vdekje në Mitrovicën e Veriut.

 

Trajkoviq ka thënë se habitet se si një person me prapavijë mafioze siç është Radojçiq shërben si ndërmjetësues mes Qeverisë së Prishtinës dhe Beogradit. Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk pret që vrasja e Oliver Ivanoviqit të zgjidhet me qeveritë aktuale të Kosovës dhe të Serbisë.

 

“Kam dëgjuar se te ai shkuan edhe gjermanët edhe të gjitha shtetet që janë këtu. Më doli rastësisht kjo me gjermanë por përfaqësuesit e shërbimeve të ndryshme sepse e kishin identifikuar si njeri që vendos për jetë e vdekje në këtë territor, që i takon të them ashtu qarqeve nëntokësore, për të mos thënë më ashpër mafisë, që përndryshe siç e dini edhe Ramush Haradinaj këtë nuk e fshehur se për problemet e serbëve në Kosovë ai flet edhe me Radojçiqin e që ishte lidhja edhe mes institucioneve legale të Haradinajt apo Qeverisë së Kosovës dhe Beogradit, meqë Haradinaj ankohej se nuk kishte kontakte me Beogradin”, ka thënë Trajkoviq.

 

“Pastaj habiteni që një njeri me sfond të këtillë mund të jetë ndërmjetësues i institucioneve legale nga të dyja anët e linjës administrative e ndoshta dëshira ime do të ishte që në fund të hetimit të ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare… Jo, dua të them që nuk pres të zbulohet vrasja derisa të mos bien të dyja qeveritë edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Sepse nëse ai ishte ndonjë lidhje mes tyre, atëherë vetëm ashtu mund të fillojë të shtjellohet rasti i Ivanoviqit. Dhe në Serbi të gjitha atentatet zbuloheshin pas rënies së qeverive dhe ka rëndësi të madhe të vritet Ivanoviqi sepse kjo u desh të ishte operacion shumë i organizuar dhe i përgatitur”, ka theksuar ajo.