[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Tragjedia në Lipjan, 3 të plagosur që po trajtohen në QKUK në gjendje të rëndë



 

Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Ribar i Madh në Lipjan. Nga kjo përleshje ka mbetur i vdekur një person, derisa janë plagosur pesë të tjerë. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje mjeku kujdestar, Naser Syla.

Syla i ka thënë Gazetës Express se tre prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë dhe se gjenden në operacion.

“Tre prej të plagosurve janë në gjendje shumë të rëndë dhe aktualisht gjenden në operacion, dy janë në gjendje më të mirë dhe njëri është liruar për në shtëpi|”, ka thënë Syla.

Ndryshe, një person ka ndërruar jetë derisa pesë të tjerë janë plagosur në një përleshje me armë zjarri, që ka ndodhur sot në fshatin Hallaq të Lipjanit.

T7 është duke qëndruar në vend të ngjarjes dhe raporton se bëhet fjalë për dy familje që janë fqinj mes vete mes të cilëve ka ndodhur plagosja me armë.

Ngjarja që ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit sipas informacioneve të para ka nisur mes disa personave që ishin duke vozitur një veturë të tipit Golf 4 dhe disa të tjerëve që ishin në një furgon.

Bëhet e ditur se dy familjet vijnë nga fshati Ribar i Madh.

Detaje për rastin kanë dhënë Policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë për Express se policia e ka marrë informacionin sot rreth orës 07:00.

“Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin për një plagosje me arme zjarri në fshatin Hallaq i madh të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, tha Ahmeti.

“Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë plagosur 6 persona, prej tyre një mashkull, shtetas i Republikës se Kosovës, i cili nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha Ahmeti.

Forca të shtuara të policisë së Kosovës ndërkaq momentalisht gjenden para emergjencës së QKUK’së, aty ku po trajtohen të plagosurit.

Menu Title