.
×

“Tradhëti” apo “fitore historike” e LDK-së?  



nehat hyseni

Shkruan: Nehat Hyseni  : Befasisht LDK dhe kryetari i saj, sado paradoksale që të duket nga “të zemëruarit” dhe “të zhgënjyerit” aktualë, befasisht  u shndërrua në “fituese historike” të saj!

 

Koalicioni midis PDK-së dhe LDK-së që u negocua pas dështimit të Bllokut LANV, aktualisht ka tronditur thellë popullin e Kosovës.

Efektet e kësaj tronditjeje janë aq shumë të fuqishme, sa që relialisht i kanë nxehur kokat e të gjithë atyre që filluan të besojnë se kishin identifikuar “të mirët” dhe “të këqinjtë” në spektrin politik të Kosovës, duke shndërruar- reduktuar “koloritin”e tij politik politik në vetëm dy ngjyra: “bardhë e zi”.

Kështu, nga 10 qershori 2014, dmth. dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, dëshprimi i thellë nga dështimi i LDK-së që nuk doli parti e parë dhe fituese të zgjedhjeve, kishte humbur shpresat dhe kishte zhgënjyer thellë votuesit dhe kreun politik të kësaj partie.

Kryetari i saj, Isa Mustafa shënoi disfatën e dytë radhazi të LDK-së dhe të tij personale: e para ishte nga humbja spektakulare të bastionit të saj, komunës së Prishtinës,në zgjedhjet lokale të nëntorit 2013 dhe e dyta ishte humbja nga PDK e përçarë dhe e ndarë nga fraksioni “Nisma”.

Prandaj, koalicioni LAN i 10 qershorit 2014 shihej si shpëtim dhe shpresë e fundit e të mbyturit.

 

Ndërkaq, AAK pretendonte se me Ramush Haradinajn  e liruar nga Haga, në këto zgjedhje do të arrij rritje spektakulare, por dështoi duke u radhitur si parti e katërta.

Kurse, Nisma e Fatmir Limajt testonte veten për herë të parë dhe arriti suksesin e pretenduar me kalimin e pragut zgjedhor dhe futjen e saj në Parlament.

Por, zhgënjimi i Lëvizjes Vetëvendosja nuk ishte më i vogël se ai i LDK-së dhe AAK-së, të cilët ishin inkurajuar nga fitorja e befasishme e komunës së Prishtinës dhe nuk mundeshin ta kuptonin kurrësesi se ai ishte Blloku PDK-AAK-LDD-AKR-VV kundër LDK-së.

Mjerisht, sa duket, ata akoma nuk e kanë kuptuar këtë. Apo ndoshta tregojnë pasinqeritet dhe ta bindin opinionin dhe  akoma veten, si dhe ata që besojnë thellësisht se sinqeriteti është monopol i tyre.

Prandaj, propozimi i Albin Kurtit për formimin e Bllokut LAN, u pranua menjëherë nga LDK, AAK dhe Nisma. Por, VV hezitoi dy muaj deri në bashkëngjitjen Bllokut politik që kishte propozuar vet, meqë sa duket nuk e gjente kurrësesi mënyrën se si do bëhej Albin Kurti kryeministër, ashtu si ishte bërë Shpend Ahmeti kryetar i komunës së Prishtinës, 7 muaj më parë?

Pra, Blloku LVAN paraqiste shpresën e fundit të shpëtimit të këtyre katër partive politike me emruesin e përbashkët “kundër keqqeverisjes së PDK-së dhe Hashim Thaçit..

Pra, të gjitga divergjencat programore, e mbi të gjitha hendekun e thellë të karaktereve politike të liderëve të tyre politik, ata e tejkaluan me mëtë formulë ideale të formimit të Bllokut LVAN, që filloi t’i ngjallë shpresat tek populli dhe tek këta liderë të zhgënjyer  ga PDK.

Por, sa duket, synimet e popullit konsistonte në shpresat e shpëtimit nga rreziku i formimit të qeverisë “Thaçi 3”, kurse liderët si mundësi për të fituar atë çka kishin humbur në zgjedhje dhe shihej si shndërrues gjenial i “humbësve” në “fitues”.

Por, ato u mundën nga Hashim Thaçi dhe dështuan në maratonën pothuajse gjashtëmuajshe të rrezistimit. Me shpërbërjen e Bllokut LVAN nga ambiciet joreale dhe të tepruara të partisë së

katërtë, AAK-së dhe durimit triumfues të PDK-së dhe mundësisë së fundit të LDK-së për ta realizuar pretendimit dhe  premtimit gjatë fushatës për postin e kryeministrit, në mbrëmjen e 19 nëntorit 2014, përfundoi me marrëveshjen për formimin e koalicionit LDK-PDK.

Efektet shokuese për elektoratin e LDK-së, mendoj se do jenë afatshkrurtëra, duke u zvogëluar me kohë zemërimi i tyre nga fitorja e postit të kryeministrit. Kështu, paradoksalisht, do të binden në të kundërtën të gjitha ata që u ngutën të deklarojnë se ky do të jet fillimi i fundit të LDK-së dhe Isa Mustafës. Sepse, ata që mendojnë me kokë të ftohët, racionalisht dhe jo me zemër, do të vërejnë se ndodhi pikërisht e kundërta!

Pra, LDK do e fitoj për herë të parë në historinë 15 vjeçare të pauftës, postin e kryeministrit, që nuk e kishte arritur as në kohën e Ibrahim Rugovës, madje as atëherë kur kishte fituar mbi 46% të votave!

Kurse, kryetari i saj aktual Isa Mustafa do arrij kulmin e karrierës së vet politike, poqese  bëhet kryeministër.

Pra, befasisht LDK dhe kryetari i saj, sado paradoksale që të duket nga “të zemëruarit” dhe “të zhgënjyerit” aktualë, befasisht  u shndërrua në “fituese historike” të saj!

Prandaj, gjakrat gjatë kohës do të ftohen, kurse këto fakte do të mbeten, duke  kuptuar gradualisht këtë realitet të ri politik dhe efektet e qeverisjes me kryeministrinë nga LDK.

Ndërkaq, atyre dhe të tjerëve do u mbetet obligimi t’ua sqarojnë vetes dhe të tjerëve se pse vallë na qenka tradhëti koalicioni LDK-PDK, e jo  edhe ai PDK-AAK?

Kurse, Lëvizja Vetëvendosja gjatë kohës ndoshta do të arrij ta sqaroj se pse na qenka tradhëti koalicioni LDK-PDK dhe jo edhe koalicioni i saj i fshehur parazgjedhor kundër LDK-së për komunën e Prishtinës, si dhe shumë gjëra të tjera lidhur me moralin e munguar politik të skenës politike kosovare, si dhe të asaj gjithëshqiptare.