.
×

Topi te Hashim Thaçi – ka mbetur të caktohet vetëm data e zgjedhjeve



Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar sot ftesë koalicionit PDK-AAK-NISMA, për një takim në të cilin do të diskutohej për caktimin e një mandatari të ri për të zëvendësuar Ramush Haradinajn në postin e kryeministrit.

Megjithatë, përgjigja e kryetarit të koalicionit dhe njëherit kreut të PDK’së, Kadri Veseli, ka qenë e shpejtë dhe negative, duke mos i lënë kurrfarë rruge tjetër Thaçit, përveçse se të thërrasë të gjitha partitë politike pas shpërbërjes së Kuvendit, për të caktuar datën e re të zgjedhjeve.

Veseli ka treguar se sot i ka kthyer përgjigje Thaçit, duke i thënë se koalicioni PAN nuk ka ndonjë propozim për mandatar dhe se zgjedhjet e reja janë rruga e vetme për të dalë nga situata politike ku gjendet Kosova. Kjo i ka dhënë fund edhe përpjekjeve të Thaçit për zvarritje dhe arnim të qeverisë.

Pas këtij vendimi të Veselit, tashmë topi ka mbetur tek Hashim Thaçi, i cili është i obliguar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës që pas shpërbërjes së Kuvendit të thërras partitë politike për të caktuar datën e re të zgjedhjeve.

Bashkë me përgjigjen për Thaçin, Veseli ka ftuar edhe një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, ku do të diskutohet për caktimin e një seance për shpërndarjen e Parlamentit, veprim ky që do t’i  hapte rrugë zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Ndërkohë për caktimin e datës së zgjedhjeve do të duhet një konsensus i gjerë brenda të gjitha partive politike.

Siç kishte raportuar televizioni publik i Kosovës më herët, i thirrur në burime brenda Presidencës, zgjedhjet e reja me gjasë do të mbahen më 8 shtator.

Thirrje për të mos vonuar procesin e krijimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve ka pasur edhe nga ndërkombëtarët, pasi që vakumin institucional e ndërlidhin me vazhdimin e dialogut me Serbinë. Këtë e ka thënë në një intervistë për VOA, Mathew Palmer.

E gjithë kjo situatë politike vjen pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale.