.
×

Tony Blair kujton çlirimin e Kosovës



Botapress 11 Qeshor- Në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair tha se në atë kohë kishte marrë vendim për ndërhyrje në Kosovë që të parandalojnë vrasjet e njerëzve.

“Në vitin 1999, mora vendimin si Kryeministër i Britanisë për t’u bashkuar me forcat e tjera të NATO-s për të ndërhyrë në konfliktin në Kosovë, për të parandaluar humbjet jetësh të njerëzve, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës. Përpjekja siguroi një prani paqeruajtëse të OKB-së në Kosovë, siguroi kthimin e sigurt të refugjatëve dhe personave të zhvendosur në të gjithë rajonin dhe krijoi një marrëveshje kornizë politike”, ka shkruar Blair në profilin e tij në Facebook.

Ai shtoi se ky vendim u motivua nga angazhimi për trajtim të drejtë të gjithë njerëzve pa marrë parasysh besimin dhe kombin.

Blair tha se ka besuar që Kosova do të ecte përpara, por se duhet ende më shumë punë.

“Ne e dinim se sa e vështirë do të ishte përparimi dhe paqja, por gjithashtu besuam se populli i Kosovës dhe në të gjithë rajonin kishin kreativitetin, mençurinë dhe vendosmërinë për të adresuar sfidat e shumta që shtrihen përpara. Gjatë njëzet viteve të fundit ne kemi parë një brez të ri kosovarë që e marrin të ardhmen e tyre në duart e tyre dhe përdorin energjitë e tyre në ndërtimin e kombit. Unë përgëzoj popullin e Kosovës për këto përpjekje”, thotë Blair.

Tutje ish-kryeministri briantik tha se përparimi do të kërkojë vendime të vështira dhe udhëheqje bindëse.

“Por ju e keni bërë këtë më parë dhe mund ta bëni përsëri. Kam besim të patundur se Ballkani më në fund do të ngrihet mbi sfidat e tij dhe do të marrë vendin e tij të vërtetë në botë. Pra, ndërsa reflektojmë për gjeneratat e humbura, vendosmëria jonë për të siguruar paqe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm duhet të vazhdojë”, ka shtuar Blair.

Në fund ai pati edhe një mesazh për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Për popullin e Kosovës unë them: Ju keni kaluar nëpër kaq shumë gjëra, por keni tejkaluar gjithashtu. Tani, duhet të ndërtoni një të ardhme të denjë për njerëzit tuaj. Një shtet brenda familjes së Evropës. Kam besim se ky vizion do të jetë realiteti i ardhshëm për Kosovën dhe popullin e saj”, tha ish-kryeministri britanik.

Data 24 mars shënoi  20-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s. Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri me 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATOs, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.